Lidhje

Uoren Miller: Shqipëria, një vend që përqafon pluralizmin kulturor


Warren Miller, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit thotë se me mbrojtjen që u bëri hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria tregoi se është një vend që përqafon pluralizmin kulturor. Në një intervistë që i dha Zerit te Amerikes, zoti Miller tha se bota ka shumë për të mësuar nga tradita shqiptare që e trajton fqinjin si vëlla.

Amerikanëve u bën shumë përshtypje fakti që pothuajse asnjë hebre në Shqipëri nuk ra në dorë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu në Uashington, ata politikanë ose personalitete të tjera që e njohin këtë fakt interesant, e vlerësojnë atë si një akt dinjitoz dhe fisnik.

Një prej këtyre zyrtarëve është Warren Miller, i cili kryeson Komisionin për Mbrojtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit.

"Shqipëria ka një histori të gjatë laiciteti, një histori të gjatë tolerance kulturore dhe fetare. Mendoj se kjo pati rëndësi kritike që i bëri shqiptarët të dëshirojnë të mbrojnë qytetarët hebrej si dhe ata që erdhën nga vende të tjera e që kërkonin strehë."

Zoti Miller, avokat në Uashington, punon pa pagesë si kryetar i Komisionit të Trashëgimisë. Familja e tij me origjinë hebraike nuk pati asnjë anëtar të përndjekur apo të vrarë nga nazistët dhe zoti Miller thotë se e bën këtë punë pasi ndjen thellë në shpirt keqardhjen për ata që u shfarosën në kampet e vdekjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zoti Miller thotë se intrigohet mjaft nga një fakt që lidhet me shqiptarët:

"Në Shqipëri, ekziston një kod i veçantë nderi që quhet Besa. Kjo më duket diçka vërtet historike, pra mënyra se si ata i mbrojtën këta hebrej që kërkonin strehë. Pothuajse askush tjetër në Europë nuk u ngrit në nivelin e shqiptarëve në këtë pikpamje. Danezët bënë një punë të madhe dhe heroike për shpëtimin e shumicës së hebrejve të tyre, pati gjithashtu disa raste të tjera të izoluara por Shqipëria ishte një rast mjaft i veçantë. Ajo meriton lavdërime dhe falenderime."

Zoti Miller vizitoi Shqipërinë në muajin janar dhe iu dha rasti të mbajë një fjalim në parlamentin e vendit.

Histori të ndryshme për shqiptarët që shpëtuan hebrej do t’i bënin atij përshtypje të madhe. Një episod flet se si familjet shqiptare “grindeshin” me njëra tjetrën që kush e kush të kishte nderin të shpëtonte hebrenj. Një rast tjetër është ai i shqiptarit në një zonë të thellë, i cili ecte disa kilometra në ditë për t'u çuar ushqime hebrenjve që kishte strehuar.

"Pati vetëm një familje, familja Arditi nga Shkodra, e cila nuk kërkoi mbrojtje, madje më kanë thënë se e refuzoi strehimin pasi mendoi se do të ishte e sigurt. Ata u arrestuan, u dërguan në Prishtinë dhed prej tyre nuk u dëgjua më. Ne e dimë këtë nga të afërm që ata kanë në Izrael. Përveç kësaj familje në Shqipëri, nuk pati hebrej të tjerë që humbën jetën. Pati natyrisht në Kosovë, por kjo është një çështje krejt tjetër."

Në Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Miller, ata njerëz të cilët merren me edukimin rreth Holokaustit, dhe kanë njohuri për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, e njohin historinë e shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët, por publiku i gjerë ende nuk di për Shqipërinë dhe përpjekjet që bënë shqiptarët gjatë Luftës për mbrojtjen e hebrejve.

"Bullgaria shpëtoi gjithashtu hebrejtë e saj gjatë Holokaustit por ata u bënë bajshkfajtorë sepse organizuan trasportimin e tyre nga Traka dhe Maqedonia - rreth 11 mijë prej tyre - të cilët u vranë. Ndërsa në Shqipëri, heroizmi që u tregua ishte i plotë. "

Shqipëria, thotë zoti Miller, ishte një rast i veçantë - një vend kryesisht mysliman i cili ka një sistem vlerash dhe dëshiron të përqafojë pluralizmin kulturor, gjë që nuk ekziston në shumë vende të tjera myslimane.

"Me zhvillimin dhe begatimin e Shqipërisë, ajo do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë dhe njerëz të cilët do të duan të mësojnë se ç’është kjo formulë magjike që i bën të bashkëjetojnë njerëzit e feve të ndryshme, diçka që nuk u imponohet nga qeveria por që vjen natyrshëm, siç është trajtimi i fqinjit si vëlla. Bota ka shumë për të mësuar nga Shqipëria." //ii

XS
SM
MD
LG