Lidhje

Kosovë: Varfëria përfshin 45 për qind të qytetarëve të vendit


Sipas një raporti të Bankës botërore, 45 për qind e popullatës në Kosovë përballet me varfërinë, ndërsa 15 për qind e saj jeton në varfëri të skajshme. Ekspertët thonë se me një rritje vjetore të zhvillimit ekonomik prej 5 për qind, do të duhen dhjetë vjet për zvogëlimin e kësaj shkalle të varfërisë, e cila është rrjedhojë e shkallës së lartë të papunësisë në vend.

Në qendër të Prishtinës, të rrethuar me godina të mëdha e luksoze, shtatë familje jetojnë në një barakë të vjetër dhe në kushte tejet të rënda. Naim Hasani, që nga përfundimi i luftës përpiqet të mbijetojë në këtë strehë ku ishte vendosur përkohësisht. Ai thotë se me punën që bënë si punëtor krahu, nuk mund t’iu sigurojë tre fëmijëve të tij as kushtet elementare të jetës, e jo më të zgjidhë çështjen e strehimit. Ai do të punojë, por punë nuk ka. “Unë shpresoj dhe besoj veç se dikush mendon për të varfëri. Ishalla ka njerëz që vijnë dhe i kontrollojnë njerëzit interesohen për ta, unë jam i shënosh, nuk jam i sëmurë me gjet punë unë punoj, por nuk gjejë punë, Unë dal te gjyqi I qarkut dhe shitna, dal tërë ditën rri në këmbë kush vjen me më marrë çfarëdo pune, a me qel kanal a me qitë plloçë edhe 10 euro i marrë dhe me ato u blej fëmijëve me hëngër diçka”, thotë ai.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, 45 për qind e popullatës jeton në varfëri, 15 për qind ndërkaq në varfëri të skajshme. Andrew Dabalen, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, thotë se vetëm një rimëkëmbje ekonomike e vendit mund të ulë këtë përqindje të lartë të varfërisë në Kosovë. “Ne kemi gjetur se rreth 40 %, e që është ç’do i dyti nga 5 qytetar të Kosovës jeton me vetëm 45 euro në muaj, tha zoti Dabalen sipas të cilit me një ngritje të zhvillimit ekonomik prej vetëm 5 për qind në vit Kosova do të zvogëlonte shkallën e varfërisë në 28 për qind brenda një periudhe dhjetë vjeçare.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë ndërkaq se kjo shkallë e lartë e varfërisë, është një lajm i keq për Kosovën. “Brenda këtij lajmi të keq ekziston një shpresë dhe mbase një lajm i mirë se nëse mund të them trashësia e varfërisë është shumë e hollë me një investim shumë të vogël në politikat sociale dhe mbase me politika të qarta të zhvillimit ekonomik , neve me shumë pak investime mund ta zbresim këtë 45% nëse mund të them në një shkallë rapide të shpejtë dhe ky ishte konstatimi i mirë I këtij raporti , që të gjithë neve na jep shpresa se me një shkallë të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik , zhvillimin e sektorit privat , politika e qartë e qeverisë ndaj paketës sociale mund ta tejkalojmë këtë shpejt”.

Shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë, pasqyron shkallën e lartë të papunësisë e cila zyrtarisht arrin në 45 për qind, por shifrat reale duket të jenë shumë më të larta.//rd//

XS
SM
MD
LG