Lidhje

Marrëdhënie të tensionuara mes Uashingtonit dhe Minskut


Tensionet vazhdojnë të jenë të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë. Në materialin e tij nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre De Nesnera i hedh një vështrim marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

E thënë me pak fjalë, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë që drejtohet nga presidenti Alexander Lukashenko, nuk janë të mira. Kohët e fundit ato janë përkeqësuar edhe më tej pasi Bjellorusia dëboi 10 diplomatë amerikanë, vendim ky që zyrtarët amerikanë e cilësuan si të pajustifikueshëm dhe të pabazuar.

Bjellorusia ka akuzuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po rekrutojnë qytetarë për një rreth spiunazhi. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Tom Casey i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur ato qesharake. "Këto akuza janë thjesht të pavërteta, janë të pabaza dhe përbëjnë një justifikim shumë të dobët për pakësimin e personelit të ambasadës sonë".

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë masat që duhen marrë në përgjigje të reagimit të Bjellorusisë. Ekspertët po kërkojnë arsyet e ndërmarrjes së këtij veprimi nga qeveria bjelloruse. Jason Lyall është në shkollën Woodrow Wilson për Marrëdhëniet Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Princeton. "Duket se për asnjë arsye të qartë, fare rastësisht, flitet për një skandal spiunazhi. Mendoj se tani po shohim shumë nga paranoja personale e Lukashenkos. Ai ka përmendur një numër qytetarësh amerikanë si spiunë dhe i ka dëbuar ata nga vendi. Nuk është e qartë çfarë e solli këtë vendim pasi marrëdhëniet mes Bjellorusisë dhe Amerikës edhe më parë ishin në nivel të ulët, veçanërisht me planet e presidentit Bush për të nxitur demokracinë. Kjo duket si një lëvizje për të tërhequr vëmendje".

Nga ana e tij Robert Legvold i Universitetit të Columbias thotë se zoti Lukashenko është i njohur për veprime të nxituara. "Kishim një episod të ngjashëm rreth gjashtë apo shtatë vjet më parë kur ai ishte i inatosur pasi njerëzit që po dilnin nga ambasada amerikane bllokuan daljen e tij nga rruga presidenciale dhe në atë kohë ai vendosi të hoqi të gjitha kanalet e ujrave të zeza për t’i detyruar ambasadat të largoheshin nga vendi i tyre dhe kjo u quajt lufta e kanaleve të zeza. Eventualisht pas më shumë se një viti kjo çështje u zgjidh – Shtetet e Bashkuara nuk e lëvizën ambasadën e tyre".

Ekspertë si Olga Oliker me Korporatën Rand thonë se që kur u zgjodh president për herë të parë në vitin 1994, zoti Lukashenko e ka sunduar atë vend me një grusht të hekurt, duke konsoliduar pushtetin dhe duke mbytur zërin e desidentëve. "Në Bjellorusi nuk ka shumë liri politike apo liri të fjalës. Qeveria ka shumë kontroll. Lukashenko është njeriu i vetëm që ka gjithçka në dorë. Bjellorusët nuk kanë liri shtypi apo dhe liri organizimi. Nuk ka parti opozitare pra nuk ka opozitë. Është thjeshtë një sistem i mbyllur".

Gjatë viteve, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë qënë mjaft kritikë ndaj zotit Lukashenko, i cili është quajtur diktatori i fundit në Evropë. Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice e ka cilësuar Bjellorusinë si një nga gjashtë tiranitë e botës.

Në përgjigje të kësaj, Bjellorusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për ndërhyrje në punët e brendëshme. Ekspertët thonë se aleatja më e ngushtë e Bjellorusisë, Rusia ka qënë e heshtur në zhvillimet e fundit diplomatike mes Minskut dhe Uashingtonit.

Analistët thonë se në se acarimet diplomatike nuk zgjidhen së shpejti mes të dy vendeve, Moska ndoshta do të detyrohet të dalë në anën e Bjellorusisë ashtu siç ka bërë në të kaluarën kur ka patur një konfrontim mes Minskut dhe Perëndimit. //rd//

XS
SM
MD
LG