Lidhje

Ban, thirrje Birmanisë për shpejtimin e shpërndarjes së ndihmave


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon thotë se është me rëndësi kritike që qeveria ushtarake e Birmanisë të përshpejtojë procesin e pranimit dhe shpërndarjes së ndihmave për personat e prekur nga cikloni.

Në komentet e sotme gjatë një konference të shkurtër për shtyp në Birmani, zoti Ban paralajmëroi se nëse ndihmat nuk arrijnë në sasi më të madhe dhe më shpejt, Birmania mund të ndeshet me epidemi të rrezikshme të përmasave të tilla që janë të pakrahasueshme me gjendjen aktuale.

Zoti Ban i bëri thirrje qeverisë birmaneze të vërë interesin e popullit në plan të parë dhe tha se ndihmat ndërkombëtare nuk kanë lidhje me politikën, por me shpëtimin e jetëve.

Qeveria birmaneze ka konfirmuar vdekjen e 31 mijë e 900 vetëve nga cikloni, ndërkohë që 30 mijë të tjerë figurojnë të zhdukur. OKB-ja përllogarit se afro 2 milion vetë në Birmani ndeshen me nevoja urgjente për ndihma. Që kur cikloni Nargis goditi Birmaninë më shumë se 1 javë më parë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur nervozizëm në rritje nga përgjigja e udhëheqjes ushtarake birmaneze ndaj katastrofës.

Ky vend i izoluar është treguar tepër i ngadaltë në përgjigjen ndaj ofertave të huaja për ndihma dhe në lëshimin e vizave për punonjësit e huaj të ndihmave.

Sot Birmania lejoi një avion amerikan me disa tonë ndihma të zbresë në Rangoon. Një zyrtar i lartë i OKB-së për ndihmat tha se Birmania ka miratuar vetëm 34 nga 100 vizat e kërkuara nga punonjës ndërkombëtarë të ndihmave. //rd//

XS
SM
MD
LG