Lidhje

Reagime ndaj zgjedhjeve në Serbi


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Joakim Ryker tha të hënën se zgjedhjet lokale serbe nuk do të kenë asnjë ndikim ligjor në Kosovë. Ndërkohë, reagimet ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Serbi ishin të shumta si nga serbët e Kosovës ashtu edhe nga ata në Beograd. Koalicioni pro-perëndimor shënoi fitore në zgjedhjet parlamentare të së dielës, megjithëse tani përballet me një luftë për pushtet pasi rivalët nacionalistë thanë se do të bashkonin forcat për të formuar qeverinë.

Në komentet që bëri të hënën në Prishtinë, shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joakim Ryker la të kuptohej se misioni i tij nuk do t’i njohë zyrtarët serbë të dalë nga votimet e së dielës të Serbisë.

“Mendoj se është mirë kur në vendet fqinje forcat demokratike janë të forta. Për sa u përket zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, ne as nuk i kemi ndaluar dhe as s’i kemi përkrahur. Kështu kemi vepruar që në vitin 1999. Për sa u përket zgjedhjeve lokale në Kosovë, ato nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore. Ne nuk jemi informuar asnjëherë zyrtarisht që ato janë mbajtur,” tha zoti Ryker.

Zgjedhjet serbe të mbajtura në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë në shkurt 2008, nuk u ndaluan, por edhe nuk u përfillën nga OKB-ja.

Ndërkohë, serbët e Kosovës reaguan të hënën ndaj rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Kjo grua, banore në Mitrovicën veriore shpreson për një të ardhme më të mirë. “Shpresoj që do të bëhet më mirë për ne. Shpresoj që të rinjë tanë të kenë më shumë vende pune dhe të jenë të lumtur,” thotë Faketa Simiç.

Ndërsa një banor tjetër thotë se shpresonte që të fitonin radikalët. “Ajo do të ishte e vetmja qeveri që do të përkrahte serbët e Kosovës,” thotë ai.

Qyteti i Mitrovicës ka qenë i ndarë që pas luftës në vitin 1999. Ky qytet nuk është më pjesë e Serbisë që kur Kosova shpalli pavarësinë. Megjithatë, shumë serbë të Kosovës ende e shohin qeverinë e Beogradit si qeverinë e tyre.

Ndërsa në Graçanicë disa serbë luteshin në manastirin ortodoks , ca të tjerë komentonin rezultatin e zgjedhjeve. “Jam i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. Shpresoj që OKB-ja dhe institucionet e Kosovës do t’i pranojnë rezultatet dhe ta shohin se qeverisja e re e Serbisë po përpiqet të ndryshojë,” thotë Slobodan Iliç. “Jam e gëzuar për fitoren e presidentit Tadiç,” thotë Bojana Miliç.

Edhe në kryeqytetin serb të Beogradit reagimet ishin të shumta. Gazetat i bënë jehonë fitores së Serbisë evropiane, me kryetitujt “Serbia si Evropa” dhe “Fitore e bindshme e Serbisë evropiane.” Megjithatë, njerëzit në rrugë ende ishin në pritje. “Shpresoj që të arrijnë një marrëveshje dhe të kemi një qeveri të re,” thotë kjo vajzë. “Sido që të jetë, unë pres një të ardhme më të mirë,” thotë një qytetar tjetër.

Presidenti serb Boris Tadiç tha se e diela ishte një ditë e madhe për Serbinë, pas rezultateve paraprake që e tregonin atë me një epërsi prej 10 përqind mbi partinë radikale ultranacionaliste.

Megjithë fitoren e së dielës ende nuk është e sigurt nëse partia e Presidenti Tadiç do të arrijë të formojë qeverinë. Forcat konservatore nga ana e tyre kanë filluar përpjekjet për të parë në se ato mund të formojnë qeverinë e re. Udhëheqësi i radikalëve Tomislav Nikolic u takua sot me Kryeministrin Koshtunica për të diskutar rreth mundësisë së formimit të qeverisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG