Lidhje

Filmat e verës nga Hollivudi


Industria e filmit, ka nisur të parashikojë të ardhurat e sezonit veror nëpër kinematë amerikane. Duket se ky sezon do të jetë i favorshëm për prodhuesit e filmave, pasi publiku po i kthehet kinemasë, kjo falë rritjes së cilësisë kinematografike, por dhe studimit të saktë përsa i përket shijeve dhe prirjeve të artdashësve.

Sezoni veror pritet të jetë matësi më i saktë i suksesit të filmave të parashikuar për këtë sezon. Spikat këtë fillim sezoni filmi ”Iron Man”, i cili vetëm në javën e parë grumbulloi 100 milion dollarë nga shitja e biletave, dhe për specialistë e kinemasë, ky është vetëm fillimi.

Zëvendës redaktorja e faqes Variety.com, Anna Thompson thotë se kjo verë do të jetë një stinë mjaft e mirë përsa i përket filmave. ”Pavarësisht rënies ekonomike, pavarësisht se në fillim të vitit të ardhurat nga shitjet e biletave në kinema ishin 6% më të ulta, mendoj se ky do të jetë një sezon i mbarë. Por kthimi i publikut në kinema, si në rastin e filmit ”Iron Man” mendoj se është shenjë e mirë. Njerëzit nuk po përqendrohen vetëm te marrja e filmave me qera.”- thotë ajo. “Spide Ricer” është një tjetër film, i cili mendohet se ka nisur pa bujë, por do të rrisë të ardhurat gjatë shfaqjeve të mëtejshme.

Një tjetër realizim, i cili mendohet se do të grumbullojë më tepër të ardhura këtë sezon, është seria e radhës e filmit ”Chronicals of Narnia”-“Prince Caspian”. Thompson është e mendimit se ky film do të arrijë të sigurojë rreth 300 milion dollarë nga shitja e biletave. Një trinom emrash të mëdhenj, ka sjellë një prej filmave që pritet të jetë sukses për këtë sezon. Stiven Spielberg, George Lucas dhe Harrison Ford, janë sëbashku, si regjizor, producent dhe aktor kryesor në filmin ”Indiana Jones and the Kingdom of Crystal Skull”.

Sipas Paul Degarbedian, president i shoqërisë “Media by Numbers”, ky film, do të grumbullojë rreth 300 milion dollarë në kinematë amerikane, dhe rreth 1 miliard nga shfaqjet e tij në kinematë botërore. Ky film pritet që të ketë shikueshmëri të lartë nga të gjitha moshat, për vetë faktin e rikthimit të Harrison Ford-it në rolin e tij të famshëm të Indiana Jones, pas mëse 20 vjetësh.

Filmi “Sex and the city”, i përshtatur për ekranin e gjerë, pritet të jetë tërheqës, jo vetëm për gratë por dhe për burrat. Jack Black spikat me zërin e tij në filmin ”Kung Fu Panda”, një prej filmave vizatimor që pritet të shënojë sukses këtë sezon. “Get Smart” është një film komik i cili pritet të ketë sukses sezonin e verës, së bashku me filmin fantastiko shkencor ”Wall-E”. James McAvoy interpreton së bashku me Angelina Jolie në filmin ”Wanted”, ku ai është një djalë që mëson se ka lindur vrasës.

Paul Degarabedian, thotë se ky film, mund të grumbullojë rreth 100 milion dollarë nga biletat. Will Smith është i pranishëm në kinematë amerikane këtë sezon me filmin ”Hancock”, i cili sipas specialistëve të tregut kinematografik, pritet që të jetë një prej më të mirëve të vitit. Filmi ”Hellboy 2: the Golden Army”, ndonëse ka pasur vlerësime nga kritika, duket se nuk ka suksesin e pritur në të ardhura. Prodhimet që do t’i bashkohen këtij sezoni janë dhe një seri tjetër e filmit “Mumja” si dhe filmi i Ben Stiller ”Tropic Thunder”, ku interpretojnë emra të njohur si Jack Black, Robert Downey JR si dhe Tom Cruise. //rd//

XS
SM
MD
LG