Lidhje

Politika e poshtërimit, fenomen psikologjik i konflikteve etnike


Analistët për zgjidhjet e konflikteve dhe të luftrave etnike të shekullit të 20-të dhe 21-të kanë vërejtur një fenomen psikologjik që shfaqet në disa nga këto konflikte, dhe në konflikte të tjera gjatë historisë. Ata e quajnë këtë politika e poshtërimit. Korrespondentja Judith Latham bisedoi me gazetarë izraelitë, gjermanë dhe serbë rreth rolit të këtij fenomeni në disa nga konfliktet e sotme.

Që nga praktikat romake, ku udhëheqësit e mposhtur lidheshin me zinxhirë dhe silleshin rreth Romës, poshtërimi është përdorur shpesh për të treguar inferioritet. Ndërsa për viktimën ky bëhet shkak për të kërkuar hakmarrje. Gazetari izraelit Ori Nir thotë se e ashtëquajtura politikë e poshtërimit është faktor në konfliktin izraelito-palestinez.

“Mendoj se është e pamundur të kuptohet jo vetëm dimensioni njerëzor por edhe ai politik i një konflikti pa kuptuar rolin që luan poshtërimi në të dy shoqëritë. Poshtërimi ka të bëjë me ngjarje që tregojnë pushtet të pabarabartë në një marrëdhënie. Dhe shpesh, kjo përvojë e dhimbshme kujtohet për një kohë të gjatë. Në rastin e izraelitëve dhe palestinezëve, në anën izraelite kemi të bëjmë me Holokaustin ndërsa në atë palestineze me katastrofën apo siç e quajnë palestinezët Nakba e vitit 1948”.

Ori Nir thotë se ajo që ka ndodhur që nga intifada e parë ka çuar në një dinamikë të përsëritur poshtërimi dhe hakmarrjeje, çka e bën zgjidhjen e konfliktit më të vështirë.

“Shumë palestinezë e dinë se kërkesa e tyre për t’u kthyer në tokat e para 1948-ës nuk do të realizohet kurrë në praktikë. Megjithatë, nëse do të pranohej se është bërë një padrejtësi, kjo do të ndihmonte shumë në gjetjen e një zgjidhjeje”.

Matias Rueb, shefi i zyrës së gazetës Frankfurter Allgemeine në Uashington thotë se shumë gjermanë shohin një paralelizëm historik në poshtërimin e tyre sipas kushteve të traktatit të Versajës pas Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, zoti Rueb thotë se nuk është e thënë që kur poshtërohen njerëzit i kthehen patjetër nacionalizmit siç bënë gjermanët duke kontribuar në ngritjen e nazizmit. Ai thotë se duhet të ketë edhe elemente të tjera.

“Imagjinoni rreth 7-8 milionë gjermanë që u dëbuan nga Evropa qendrore dhe lindore për në Evropën perëndimore. Fatmirësisht ne kishim udhëheqës të përgjegjshëm si Konrad Adenauer. Po nëse mbetesh në të kaluarën, kërkon shkaqe dhe ke udhëheqës të papërgjegjshëm, atëherë i ke të gjithë elementët e një katastrofe. Por ka gjithmonë zgjidhje për të dalë nga një situatë e tmerrshme dhe gjermanët e bënë këtë zgjedhje pas Luftës së Dytë Botërore”.

Në një konflikt tjetër, Matias Rueb thotë se presidenti serb Slobodan Milosevic përdori si shkak historik për shpërbërjen e Jugosllavisë mposhtjen e shekullit të 14-të nga perandoria osmane. Por Liljana Smajlovic, kryeredaktore e gazetës Politika në Beograd nuk është dakort që kjo humbje poshtëruese ka të bëjë me identitetin kombëtar të Serbisë moderne.

“Unë nuk pajtohem me idenë se Serbët, ndryshe nga kombet e tjera, janë të fiksuar tek humbjet e tyre. Nuk mendoj se ata ndjejnë më shumë keqardhje për veten e tyre sesa vendet e tjera”.

Pёrkundrazi thotë Liljana Smajloviç, serbët e kanë mbajtur mend për 600 vjet me radhë se Serbia ishte dikur një mbretëri krenare, dhe ata e kanë përdorur këtë për të mirë. Kosova, thotë ajo, është shembull i dëshirës për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Mendoj se zemërimi i Serbisë për mënyrën si është trajtuar nga miqtë e saj perëndimorë vjen nga fakti se ajo ka dalë me humbje nga kjo marrëveshje. E megjithatë, gjysma e popullsisë janë prapë se prapë në favor të rrugës drejt Evropës. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit tregojnë dëshirën e Serbisë për të qenë pjesë e perëndimit”.

Ky shembull tregon rëndësinë e udhëheqjes së moralshme në tejkalimin e prirjes makiaveliste për t’i futur frikën armikut. Gazetarët pajtohen me ekspertët se rreziqet e politikës së mposhtjes janë shumë më të mëdha se përfitimet nga ajo. Ata vënë në dukje se për t’a ndrequr këtë duhen dy gjëra: përulje dhe respekt i ndërsjelltë. //iç//

XS
SM
MD
LG