Lidhje

Avokati i popullit kërkon rihapjen e gjykatave në veri të Kosovës


Avokati i Popullit, që në Kosovë njihet edhe si Ombudspersoni, ka kërkuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara zgjidhjen e shpejtë të gjendjes së gjykatave në veriun e Kosovës të cilat nuk funksionojnë që nga shpallja e pavarësisë së vendit më 17 shkurt.

Zaptimi i ndërtesës së gjykatave në veriun e Mitrovicës nga një grup protestuesish serbe dhe largimi i tyre prej andej që çoi në trazira të dhunshme që lanë pas vetes një polic ndërkombëtarë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur kanë bërë që gjykatat në atë pjesë të mos punojnë dhe tash për tash nuk dihet kur do të fillojë funksionimi i tyre.

Ushtruesi i detyrës së Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari thotë se gjendja e tillë është e papranueshme. “Në kohën e fundit i dërguam edhe përfaqësuesit special në Kosovë një rekomandim lidhur me mosfunksionimin e gjykatave në Mitrovicë, që sipas mendimit tim paraqet kërcënim serioz për funksionimin e sistemit të ligjit në një vend. Jetojmë nw vitin 2008 dhe nëse në një regjion të caktuar nuk funksionon gjykata, atëherë ku qytetarët drejtohen për ndarjen e drejtësisë”, thotë ai.

Zoti Jashari tërheq vërejtjen se gjyqësori është një nga shtyllat e pushtetit ku janë regjistruar mjaft probleme, por nuk është i vetmi. “Vitin e kaluar ne kemi përmendur se tri shtyllat e pushtetit duke filluar prej sistemit legjislativ, gjyqësorit dhe ekzekutivit ka pasur vështirësi shumë të mëdha d.m.th te të tri shtyllat. Në situata normale nëse njëra prej shtyllave të pushtetit nuk funksionon si duhet, do të krijonte efekte “domino” ose zinxhirore që kanë efekte edhe tek shtyllat tjera. Por, kur në të tri këto shtylla kemi probleme, atëherë mund të marrim me mend në çfarë situate gjenden qytetarët, thuajse nuk kanë në dispozicion mekanizëm dhe nuk mund të sfidojnë pushtetin për të realizuar mbrojtjen e tyre që është një parakusht minimal”.

Avokati i Popullit për EULEX-in, zoti Jashari është mjaft i rezervuar edhe për rolin e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë që pritet të vendosen në Kosovë në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë i njohur me emrin EULEX. “Duke pasur parasysh atë përvojë nga e kaluara mirëpo edhe tash këta me misionin e EULEX-it, unë me thanë sinqerisht jam pak skeptik se mund të ketë ndryshime dhe ndikime ne aspektin pozitiv. Ajo që është dashur të bëhet më herët ka të bëjë me vet sistemin gjyqësor në Kosovë, me vet reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë edhe efektivitetin e këtij mekanizmi. Përndryshe sado që mundemi me u mbështet në përvojën e gjyqtarëve ndërkombëtarë, ata në Kosovë do të aplikojnë sistemin ligjor që është në fuqi dhe në shumicën e rasteve, ky sistem ligjor për shumicën e tyre është i panjohur dhe fillimisht duhet mu familjarizuar shumë mirë me këto ligje për të pritur nesër pasnesër që ata të jenë në gjendje që të këshillojnë dhe ndihmojnë prokurorët dhe gjyqtarët tanë vendor”

Avokati i Popullit kërkon Gjykatë për të drejtat e njeriut Zoti Jashari i ka propozuar Parlamentit të Kosovës themelimin e një Gjykate për të drejtat e njeriut në të cilën Avokati i Popullit do të kishte mundësi të përfaqësoj interesat e qytetarëve. Ai ka kërkuar edhe një mandat më të gjerë të Avokatit të Popullit, mekanizmat kryesor të të cilit janë rekomandimet dhe bërja publike e shkeljeve të të drejtave të njeriut. E të tilla thotë zoti Jashari ka mjaft dhe ato përfshijnë të gjitha kategoritë e popullsisë, por më te ndjeshmet janë të drejtat e grave, të fëmijëve, të të burgosurve dhe të drejtat e pakicave kombëtare.

Institucioni i Avokatit të Popullit, që rrënjët i ka në Skandinavinë e shekullit të 18, është themeluar për herë të parë në Kosovë në vitin 2000, ndërsa ishte propozuar në mars të vitit 1999 në konferencën e Rambouilletit që synonte t’i jepte fund luftës në Kosovë. Edhe tetë vjet pas veprimit të këtij institucioni ai ende trajtohet i tillë çfarë është, i ri dhe i pa sprovuar.//rd//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG