Lidhje

Kuqi: Njohja e pavarësisë nuk varet vetëm nga Prishtina


Autoritetet në Prishtinë thonë se po vazhdojnë përpjekjet për të bindur një numër më të madh vendesh që të njohin pavarësinë e shpallur më 17 shkurt.

Kosova ka nevojë për më se 100 njohje në mënyrë që në shtator të bëjë kërkesë për pranim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësit institucionalë të vendit thonë se funksionimi i Kosovës si shtet, është dëshmi e mirë për vendet që ende mëdyshen që të pranojnë shtetin më të ri në botë. Por, siç thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, pavarësisht angazhimeve të mëdha të institucioneve të Kosovës, njohja nuk varet vetëm nga Prishtina.

Kjo nuk është vetëm në dorën tonë, nuk është vetëm në aspektin e asaj se sa jemi aktivisht të angazhuar, apo sa jemi aktiv në kuptimin fizik, por më shumë është se sa krijohet ambienti ndërkombëtar dhe sa krijohet një përshtypje e mirë për funksionimin e Kosovës, por për aq sa kërkojnë edhe miqtë tanë kërkojnë nga të tjerë, nga miqtë e tyre, që ta bëjnë një gjë të tillë”, thotë zëvendëskryeministri Kuqi.

Në një shkrim të gazetës së përditshme në Prishtinë, Koha Ditore, thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kritikuar institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë sa duhet për të siguruar më shumë njohje ndërkombëtare. Po ashtu thuhet se ata kanë propozuar që Prishtina të angazhojë ish negociatorin për statusin e Kosovës Marti Ahtisaari dhe ndihmësin e tij Albert Rohan që të "lobojnë" për këtë çështje. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se mosnjohja e Republikës së Kosovës nga një numër më i madh i shteteve nuk është pasojë e mos angazhimit të mjaftueshëm të institucioneve të vendit.

Lobizimi duhet të kuptohet në forma të ndryshme, por në rastin konkret ne kemi gëzuar mbështetje nga qeveritë e shteteve me më ndikim në botë, dhe asnjë individ nuk luan rol më shumë sesa një qeveri që ka ndikim në botë, dhe qeveri e konsoliduar, dhe në këtë drejtim besoj se angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, në kuptimin figurativ, që nga presidenti Bush nuk ka munguar, por ne kemi nevojë që të punojmë edhe më shumë dhe kemi nevojë që të koordinohemi dhe të sqarojmë disa dilema që ka pasur dikush për rajonin, për Kosovën apo edhe për ndonjë pozicion gjeo-strategjik apo gjeo-politik në raport me Kosovën. Nuk ka mbetur mosnjohja e Kosovës si për shkak të neglizhencës apo të mos aktivitetit të duhur të ndonjë individi apo të ndonjë institucioni, është më shumë si rezultat i rrethanave që shpeshherë nga opinioni i rëndomtë nuk vërehen”, thotë zoti Kuqi.

Kosovën deri tani e kanë njohur 41 shtete në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuare dhe vendet kryesore te Bashkimit Evropian. Rusia si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë mbështetje Serbisë në përgatitjet e saj që të hedh një Rezolutë kundër pavarësisë në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG