Lidhje

Bie ndjeshëm numri i viktimave amerikane në Irak


Numri i viktimave në radhët e trupave amerikane në Irak ra ndjeshëm në muajin maj, në nivelin më të ulët që kur filloi lufta, ndërkohë që edhe numri i viktimave civile dhe ushtarake irakiane ka rënë ndjeshëm.

Ushtria amerikane tha sot se 19 trupa u vranë në Irak muajin e kaluar, numri më i ulët që nga ndërhyrja amerikane në vitin 2003. Numri i viktimave në maj është një më pak se në muajin me numrin në të ulët të vdekjeve në shkurt të vitit 2004. Gati 4 mijë e 100 ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i luftës.

Ministritë irakiane të shëndetësisë dhe mbrojtjes thanë se shifrat për muajin maj tregojnë se rreth 550 civilë irakianë dhe forca të sigurimit u vranë muajin e kaluar, në krahasim me më shumë se 1 mijë të vrarë në muajin prill. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, hapi një zyrë të re diplomatike të Francës në qytetin Irbil, në Irakun verior.

Po sot Australia përfundoi operacionet luftarake në Irak duke tërhequr 500 trupat e saj nga bazat në jug të vendit. Kjo lëvizje përmbush premtimin e dhënë në fushatën zgjedhore nga kryeministri australian, Kevin Rudd.//IB

XS
SM
MD
LG