Lidhje

Presidenti Topi reagon ndaj dhunës në zgjedhjet në Maqedoni


Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi shprehu sot shqetësim për incidentet me të cilat u shoqëruan zgjedhjet e sotme parlamentare në Maqedoni.

Me anë të një deklarate, presidenti Topi i bëri thirrje të gjitha subjekteve politike të Maqedonisë që të distancohen, jo vetëm me fjalë dhe me deklarata, nga incidentet dhe dhuna zgjedhore duke nënvizuar se "Shqipëria distancohet prerë dhe në mënyrë të vendosur ndaj të gjithë atyre që mendojnë se nëpërmjet dhunës do të mund të legjitimojnë pushtetin e tyre".

Në deklaratë thuhet më tej se "Zgjedhjet e ditës së sotme janë një mundësi tjetër e shqiptarëve të Maqedonisë për të provuar se sa të vendosur janë ata të kontribuojnë për të ardhmen e demokracisë dhe stabilitetit në Maqedoni, se sa të sinqertë janë ata në deklaratat e tyre parazgjedhore për t'ju ofruar shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë modelin më të mirë të tolerancës dhe të mirëkuptimit".

Sipas kreut të shtetit shqiptar "Dita e sotme është shumë e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë dhe vetë Maqedoninë por edhe për të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Roli moderator i faktorit shqiptar në rajon dhe partneriteti i tij me aleatët ndërkombëtarë - nënvizohet më tej - nuk mund të kompromentohen nga aktet e rënda të dhunës që po shoqërojnë këto zgjedhje.

Demokracia dhe euro-atlantizmi shqiptar nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën që përdoret për të manipuluar vullnetin e lirë të zgjedhësve" saktëson deklarata e presidentit Bamir Topi. //rd//

XS
SM
MD
LG