Lidhje

Plani Marshall dhe rindërtimi i Europës


5 qershori është përvjetori i 61-të i ditës kur Sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit Xhorxh Marshall paraqiti planin për shërimin e kontinentit të shkatërruar europian. Ky plan historik nxiti një rritje ekonomike afatgjatë dhe siguroi kornizën e asaj që më vonë u bë Bashkimi Evropian. Presidenti Bush do të shkojë javën tjetër në Evropë ku mes të tjerash do të marrë pjesë edhe në ceremonitë me rastin e përvjetorit të këtij Plani.

Ishte viti 1947, dy vjet pasi kishin pushuar krismat. Qytetet madhështore të Evropës ishin shkatërruar. Uria mbizotëronte kudo. Dimri më i ashpër i historisë solli edhe të korrat më të varfëra të shekullit. E çliruar nga nazistët, Evropa perëndimore rrezikonte kaosin.

Dr. Leri Blend është historian në Fondacionin Xhorxh Marshall.

“Arsyeja kryesore e Planit Marshall ishte frika e kaosit në Evropën perëndimore. Këtë e shihje po të shkoje në kinema çdo fundjavë. Para se të fillonte filmi, dokumentari fliste për problemet e Evropës. Gratë dhe fëmijët që gati po vdisnin nga uria prekën zemrat amerikane. Pra nga njëra anë ishin gratë dhe fëmijët në Evropën perëndimore. Nga ana tjetër ishte fuqia e partisë komuniste në vende si Franca dhe Italia, gjë që ishte shqetësuese.”

Partitë komuniste ishin të fuqishme në Francë dhe Itali. Evropa lindore ishte pushtuar nga ushtria sovjetike. Kishte papunësi masive. Industria evropiane kishte ngecur në vend. Menjëherë pas furnizimeve emergjente me ushqime dhe veshje, Plani amerikan Marshall u përqendrua në pikat më delikate të ekonomisë. Minierat e qymyrgurit ishin të parat që përfituan. Pa qymyrgurin për të vënë në punë fabrikat, ekonomia evropiane nuk do të mund ta merrte veten.

“Problemi ishte se në Evropën perëndimore shumica e qymyrgurit vjen nga minierat gjermane, të cilat ishin përmbytur pas bombardimeve të rënda. Gjermanët nuk mund t’i hapnin ato miniera, dhe Shtetet e Bashkuara do të siguronin pajisjet e duhura. Gjermanët do të punonin në miniera, ndërsa ne do t’i pastronim nga përmbytja, do të rindërtonim shtëpitë e punëtorëve dhe do t’i vaksinonim ata kundër tuberkulozit dhe gjërave të tjera, për t’i krijuar mundësinë të punonin shumë.”

Shtetet e Bashkuara këmbëngulën që evropianët të bashkëpunonin për shpërndarjen e qymyrgurit në vendet e tjera të kontinentit për të ngrohur shtëpitë dhe për të vënë në punë përsëri fabrikat.

Shtetet e Bashkuara dhanë 13 miliard dollarë për katër vjet, ekuivalenti i 100 miliard dollarëve sot të shpërndara në 16 vende.

Por ndoshta, pjesa më e rëndësishme e Planit Marshall ishte ndikimi në moralin e evropiano-perëndimorëve. Edhe ish vendet armike si Italia dhe Gjermania ishin të përfshirë në plan.

Diplomati gjerman Karsten Voight ishte fëmujë gjatë fundit të viteve 1940. Ai thotë se zemërgjerësia amerikane ka kontribuar shumë në gjendjen psikologjike.

“Vetëm paratë nuk do t’ia kishin arritur qëllimit. Së bashku me furnizimet nga ajri në Berlin, ata ndryshuan situatën. Amerikanët, të cilët pëlqeheshin më shumë se rusët, edhe para fundit të luftës, tani nuk shiheshin më si pushtues, por si miq.”

Uinston Çërçill e quajti Planin Marshall aktin më moral në histori. Rindërtimi nga lufta më shkatërrimtare e historisë ishte dramatik.

Prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Evropës perëndimore u rrit 32 përqind në katër vjetët e Planit Marshall, duke nxitur një rritje ekonomike afatgjatë dhe siguroi kornizën e asaj që më vonë u bë Bashkimi Evropian. //ii

XS
SM
MD
LG