Lidhje

Makinat elektrike hibride dhe e ardhmja e tyre


Tani që çmimet e karburantit po rriten, makinave elektrike hibride po u shtohet popullariteti kudo në Shtetet e Bashkuara. Për të plotësuar kërkesat, prodhuesja japoneze e makinave, Toyota po bashkëpunon me një kompani të vogël në Karolinën e Veriut për të krijuar një makinë hibride që punon me elektricitet.

“Makinat tona janë shumë ndryshe nga ato me karburant pasi vihen në punë nga elektriciteti dhe me një sistem baterie, prodhim i firmës Hybrid Technologies.”

Ky është Ron Cerven, inxhinier projektesh në firmën Hybrid Technologies, e cila merret me krijimin e makinave elektike që vihen në lëvizje nga bateritë e litiumit. Makinat, si Toyota Yaris, duken si gjithë të tjerat para se t’u hapësh kapakun. Brenda, motori i zakonshëm është zëvendësuar me një motor të fuqishëm elektrik që furnizohet nga bateritë me litium.

Në uzinën e kompanisë në Morrisville të Karolinës së Veriut, shumë modele të njohura të makinave po transformohen në makina elektrike: Të tilla janë Toyota Yaris, Chrysler PT Cruiser dhe SmartCar. Zoti Cerven thotë se makinat elektrike u ofrojnë konsumatorëve një përvojë të re.

"Kur nget për herë të parë një makinë elektrike dallon se sa shumë zhurmë dëgjon nga rrotat. Kjo për shkak se nuk je mësuar, nuk e kupton se sa e madhe është zhurma e motorit në makinat me karburant, nuk e kupton se ato janë vërtet të zhurmshme."

Janë pa zhurmë fare dhe e marrin shpejtësinë menjëherë. Një gjë që kanë motorët elektrikë është fuqia tërheqëse.

Zoti Cerven thotë se jo vetëm që këto makina kursejnë karburant por janë gjithashtu të lehta për t’u mirëmbajtur.

"Pjesët që kërkonin më tepër mirëmbajtje tani janë eliminuar. Kjo makinë nuk ka kandele, filtra vaji e gjëra të tjera. Kështu që kostoja e mirëmbajtjes është shumë më e ulët sesa në makinat tradicionale."

Zoti Cerven thotë se makinat e përshtatura nga firma Hybrid Technologies janë një hap i madh përpara krahasuar me makinat e mëparshme elektrike.

"Në të kaluarën, makinat elektrike kishin mbetur prapa për shkak të baterive. Por gjatë 10 vjetëve të fundit teknologjia e baterive ka përparuar. Me një bateri 72 kilogramëshe mund të përshkohet e njëjta distancë që kërkonte 1088 kilogramë bateri."

Zoti Cerven thotë se makinat që punojnë me litium janë po aq të fuqishme sa makinat që furnizohen me karburant. Përshembull me 10 copë bateri litiumi, Cruiser PT mund të marrë një shpejtësi deri në 100 kilometra në orë në 7 presje 2 sekonda, duke konkuruar me akselerimin e një makine me gjashtë cilindra. Një ngarkim me energji prej gjashtë orësh mund t’i japë fuqi makinës për të përshkuar 200 kilometra.

"Kjo makinë është bërë për ushtrinë. Për tu futur në një avion ajo e ka të vogël vendin e bagazhit. Është shumë e shpejtë dhe e manovrueshme, mund të ecë 140 kilometra në orë për gati 320 kilometra dhe mund të futet në një kontejner të vogël. Pra është shumë lehtë të transportohet."

Makinat elektrike nuk janë aspak të lira. Por po të llogaritësh karburantin dhe mirëmbajtjen për 7 deri në 10 vjet, këto makina janë konkurruese në çmim. //ii
XS
SM
MD
LG