Lidhje

Slloveni: Presidenti Bush kërkon sanksione të ashpra ndaj Iranit


Presidenti Bush dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian përfunduan sot një takim të nivelit të lartë në Slloveni. Temat kryesore ishin zhvillimet ekonomike, marrëdhëniet transatlantike dhe shqetësimet për mjedisin. Presidenti Bush shprehu mirënjohje për mbështetjen që BE-ja u ka dhënë operacioneve në Irak dhe Afganistan. Ai po ashtu vlerësoi përkrahjen evropiane në përpjekjet për të bindur Iranin të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

Presidenti Bush e hapi takimin e nivelit të lartë me Bashkimin Evropian me një listë të gjatë çështjesh transatlantike, që nga shqetësimet për ambicjet bërthamore të Iranit, problemet në Afganistan, ndryshimet klimatike, procesin për paqe në Lindjen e Mesme si dhe problemet në tregtinë transatlantike të produkteve ushqimore.

Pas takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit nxorën një deklaratë ku ndër të tjera theksuan edhe synimin për të vazhduar bashkëpunimin SHBA-BE për të realizuar një tranzicion pa probleme të përgjegjësive që lidhen me rendin nga UNMIK-u tek EULEX-i, si dhe vendosjen e forcave të EULEX-it në të gjithë Kosovën. Bashkimi Evropian, thekson më tej deklarata, e mirëpret pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në misionin e EULEX-it.

Në përfundim të takimit, Presidenti Bush, kryeministri slloven Janezh Jansa dhe Presidenti i Komisionit Evropian Barrozo dhanë një konferencë për shtyp. Presidenti Bush theksoi se alenca SHBA-BE mbetet një ndër lidhjet më të rëndësishme strategjike të Shteteve të Bashkuara:

"Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian. Është në interesin tonë që BE-ja të jetë e fortë dhe vitale dhe është në interesin tonë të bashkëpunojmë me BE-në për të zgjidhur probleme."

Në krye të temave që Presidenti shtroi në këtë takim ishte programi bërthamor i Iranit. Presidenti Bush kërkoi nga Britania, Gjermania dhe Franca të mbështesin strategjinë e tij për sanksione të reja dhe një paketë të re ndihmash për të mos lejuar që Irani të zotërojë armë bërthamore. Presidenti Bush kërkoi që paketa e ardhshme e sanksioneve ndëshkimore të OKB-së të jetë më e rreptë se e mëparshmja.

"Ne duhet të vazhdojmë bashkëpunimin për t’ua bërë iranianëve krejt të qartë se kanë përpara një zgjedhje: ose të qëndrojnë të izoluar ose të gëzojnë marrëdhënie më të mira me të gjitha vendet tona. Irani duhet të pezullojë në mënyrë të verifikueshme programin për pasurimin e uraniumit."

Marrëdhëniet e përbashkëta tregtare mbeten një temë e nxehtë në diskutimet e Presidentit Bush me udhëheqësit evropianë.

"Folëm gjithashtu për tregtinë dhe Bisedimet e Dohas. Ne jemi të angazhuar për të mundësuar përfundimin e suksesshëm të këtyre bisedimeve. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por ne e konsiderojmë të nevojshme. Vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje që do të kapërcente politikat proteksioniste."

Presidenti foli gjithashtu për shqetësimet e përbashkëta lidhur me çmimet e karburantit. Në të dyja anët e Atlantikut, fuqitë perëndimore janë angazhuar në kërkime shkencore dhe teknologjike për të kapërcyer varësinë tek karburanti si burim energjie.

Në komentet e tij për shtyp, dolën përsëri në pah disa fërkime të vjetra mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, në lidhje me një traktat të ri global për të ndalur ndryshimet klimatike. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ratifikuar Traktatin e Kiotos, pasi e konsiderojnë si tendencioz ndaj vendeve të zhvilluara. Presidenti Bush nënvizoi edhe një herë vizionin amerikan për këtë temë duke theksuar se suksesi i çdo traktati varet nga zbatimi rigoroz i masave edhe nga vendet në zhvillim:

"Nëse Kina dhe India nuk bashkohen me ne, nëse këto dy vende nuk bien dakord për një objektiv dhe për strategji rigoroze për ta realizuar këtë objektiv, nuk e shoh të mundur zbatimin me efektivitet të ndonjë traktati ndërkombëtar."

Pas konferencës për shtyp, Presidenti ndoqi një shfaqje me kuaj race në kopshtin e kështjellës, para se të nisej për një Gjermani ku sonte do të hajë darkë me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Siç e theksoi edhe vetë Presidenti, ky do të jetë turneu i tij i fundit në Evropë si President amerikan. Vizita ime e parë në Evropë filloi në Slloveni, po ashtu edhe vizita ime e fundit si President, tha ai. Gjatë turneut aktual, Presidenti do të vizitojë Gjermaninë, Italinë, Francën, Londrën dhe Belfastin. //ad//

XS
SM
MD
LG