Lidhje

Lordi Dejvid Ouen: Kosova shkak armiqësie mes perëndimit dhe Rusisë


Perëndimi bëri një numër llogaritjesh të gabuara në politikën e tij në Ballkan, shprehet një politikan britanik me përvojë. Ish-Sekretari i Jashtëm britanik Dejvid Ouen, i njohur në Ballkan për angazhimin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Bosnjë, shprehet se këto gabime do të ndreqen nëse Perëndimi vazhdon angazhimin në Ballkan dhe i ndihmon këto vende të përfshihen në Bashkimin Evropian. Në komentet për Zërin e Amerikës, Lordi Owen flet edhe për rëndësinë që ka çështja e Kosovës në marrëdhëniet strategjike të Perëndimit me Moskën.

Në një analizë të angazhimit të vendeve perëndimore në zhvillimet ballkanike, Lordi Ouen vë në dukje një seri gabimesh, të cilat ai i konsideron si arsye për gjakderdhjen e madhe që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Ishte një llogaritje e çmendur kur u mendua se shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk mund të realizohej në mënyrë paqësore. Divorci i butë që ndodhi në Çekosllovaki, u realizua dy vjet pasi Perëndimi arriti në përfundimin se nuk mund të arrihej një shpërbërje përmes negociatash në ish-Jugosllavi. Ky vendim u mor nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i trembeshin shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe nuk donin të vinin vulën e miratimit në shpërbërjen e asnjë shteti. Si rezultat Jugosllavia u shpërbë me dhunë. Ne bëmë shumë gabime atje.”

Çështja e Jugosllavisë, thotë zoti Ouen, ka qenë dështim. Por po përmirësohet ngadalë. Nëse tregohemi të duruar, gabimet tona, përfshirë edhe të miat, do të ndreqen me një angazhim afat-gjatë nga ana jonë, duke mbajtur hapur mundësinë që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen në një të ardhme anëtare të Bashkimit Evropian.

Zoti Ouen ndalet tek çështja e Kosovës, të cilën e konsideron si një burim të vazhdueshëm tensionesh mes Perëndimit dhe Moskës, dhe një faktor që do të vendosë qetësimin e pikave të tjera të globit si rajoni i Abkazisë në Gjeorgji.

“Kosova ka qenë një çështje shumë e vështirë. Ka shkaktuar një armiqësi të theksuar të Rusisë, e cila po luan tani me Abkazinë në Gjeorgji, një rajon që ka potencialin të shndërrohet në një zonë shumë të rrezikshme. Nëse zgjidhet çështja e Gjeorgjisë, kjo do të realizohet në kontekstin e një zgjidhjeje më të mirë të disa problemeve të tjera të Ballkanit. Pra për momentin Rusia nuk do të dëgjojë diktatin tonë. Për këtë arsye, Moska e shikon si të papëlqyeshme ndërhyrjen e Perëndimit në Kosovë pa autorizimin e OKB-së, apo njohjen e pavarësisë, ndërkohë që OKB-ja nuk e ka njohur shtetin e ri. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të mësojmë nga gabimet e mëparshme, të angazhohemi në dialogje.”

Koha e diktatit, thotë Lordi Ouen, ka përfunduar. Rusia është e fuqishme aktualisht dhe ndoshta e konsideron veten edhe më të fuqishme se ç’është realisht. Diplomati britanik thekson nevojën për një bashkëpunim shumë-palësh. Epoka e veprimeve të njëanshme të Presidentit Bush, apo qoftë edhe të Presidentit Klinton, ka marrë fund, thotë ai. //bsa//

XS
SM
MD
LG