Lidhje

A është pavarësia e Kosovës sfidë për stabilitetin në rajon?


Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një pjesë e vendeve të botës vazhdon të ngjallë diskutime nëse ky vendim ka kontribuar ndaj stabilitetit në Ballkan. Eksperti amerikan Xhefri Sajmën nga Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes, argumenton se meqenëse shumica e vendeve të rajonit nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, kjo ka pasur ndikim destabilizues në rajon dhe mund të jetë kundërproduktive për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit. Zoti Sajmën thekson se parandalimi i konflikteve nuk do të jetë i lehtë nëse nuk rishqyrtohet çështja e Kosovës. Por analisti Daniel Server, nga Instituti Amerikan i Paqes thotë se rishikimi i kësaj çështjeje do t'i jepte shkas dhunës në Ballkan.

E ardhmja e stabilitetit në Ballkan do të varet nga marrëdhëniet që do të kenë Serbia me Kosovën. Kështu shprehet Xhefri Sajmën, ekspert i mbrojtjes këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se çështja e Kosovës do të duhet të rishqyrtohet, dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe me administratën e ardhshme amerikane.

"Mendoj se cilado qoftë përbërja politike e administratës së ardhshme në Shtetet e Bashkuara, Kosova është një nga çështjet që ata do të duhet të rishikojnë. Kjo mund të ndodhë shpejt, në varësi të kushteve."

Meqenëse negociatat për Kosovën përfunduan pa rezultat, rishqyrtimi i kësaj çështjeje nuk ofron shpresa për një marrëveshje të re. Kosova, sipas zotit Sajmën nuk mund të qëndrojë në gjendjen e tanishme, ku disa e shohin si pjesë të Serbisë ndërsa të tjerë si shtet të pavarur.

"Ka mosmarrëveshje të mëdha mes disa shteteve të BE-së dhe aleatëve të NATO-s, pa përmendur Rusinë dhe Kinën, të cilat më bëjnë të mendoj se çështja e ndarjes së Kosovës do të rikthehet në tavolinën e bisedimeve."

Por analisti Daniel Server paralajmëron se ndarja e Kosovës do të çonte në fillimin e dhunës në Ballkan.

"Problemi i vërtetë sipas mendimit tim është Serbia jugore dhe mundësia që shqiptarët ekstremistë të marrin si shembull Kosovën e veriut dhe të ndërmarrin hapa të njëjtë."

Zgjerimi i NATO-s në Ballkan pritet të kontribuojë ndaj stabilitetit në rajon. Shqipëria së bashku me Kroacinë ishin vendet e fundit që morën ftesën në takimin e NATO-s në Bukuresht.

"Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Dhe mendoj se integrimi i plotë i Shqipërisë në NATO është hap shumë pozitiv."

Vendi që shpresonte të merrte ftesën për në NATO ishte edhe Maqedonia.

"Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen që Maqedonia të hyjë në NATO. Por problemi do të varet tek negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ka shpresa që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt."

Sidoqoftë, prespektiva e integrimit në strukturat euroatlantike ka kontribuar ndaj uljes së potencialit për dhunë në Ballkan. Megjithatë, Ballkani ende përballet me sfida të mëdha që do të vënë në provë edhe vetë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Xhefri Sajmën thekson se për sa kohë të dërgohen sinjale të dyfishta, Kosova do të mbetet një nga sfidat kryesore të rajonit.//rd//


XS
SM
MD
LG