Lidhje

Hagë: Fillon procesi gjyqësor kundër gazetarit Baton Haxhiu


Sot në Gjykatën e Hagës ka filluar procesi gjyqësor kundër gazetarit nga Kosova, Baton Haxhiu, i cili akuzohet për shpërfillje të gjykatës. Prokuroria e kësaj gjykate e akuzon atë se ka bërë të ditur identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në procesin kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Procesi kundër zotit Haradinaj përfundoi në pranverë me shpalljen e pafajshme të tij nga të gjitha akuzat.

Gazetari Baton Haxhiu i tha sot gjykatës se "nuk ka gabuar kur ka publikuar identitetin e një dëshmitari të mbrojtur, pasi emri i tij ka qenë i njohur. Jo pak njerëz e dinin emrin e tij. Kosova është vend i vogël dhe sekretet nuk zgjasin shumë, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqësit e përpjekjeve të armatosura kundër serbëve gjatë luftës në Kosovë", citohet të ketë thënë ai.

Zoti Haxhiu ish drejtor i gazetës së përditshme "Express" tha se nuk ka dashur asnjëherë të ndërhyjë në drejtësinë ndërkombëtare. Ai e kishte përmendur emrin e dëshmitarit të mbrojtur në një shkrim lidhur me akuzat e Gjykatës së Hagës kundër ish ministrit të Kulturës në Kosovë, Astrit Haraçija dhe gazetarit Bajrush Morina të cilët ngarkohen për siç thuhet "ndikim mbi dëshmitarin e mbrojtur". Të dy këta po mbrohen në liri nga këto akuza.

Vendimi në procesin kundër gazetarit Baton Haxhiu pritet të merret më vonë gjatë këtij muaji. Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me heqje lirie deri në 7 vjet ose me gjobë deri në 100 mijë euro. //rd//

XS
SM
MD
LG