Qyteti Unity, në shtetin Nju Hampshër mori të premten një rëndësi të madhe simbolike, duke u bërë, ashtu siç e ka emrin edhe vetë qyteti Bashkim, vendi i parë ku kandidatët demokratë Obama dhe Klinton zhvilluan fushatë së bashku.
Senatorët Klinton – Obama po përpiqen të bashkojnë mbështetësit e tyre, që kur senatorja Klinton u tërhoq nga gara pas një beteje të fortë brenda partisë. Senatorja Klinton u tha sot të pranishmëve, se ndërsa ata të dy kishin patur një “dialog të gjallë”, ajo që fillon sot në qytetin Bashkimi, do të përfundojë në janar, , siç u shpreh ajo, me Barak Obamën si president.
Kandidati republikan Xhon Mekein zhvilloi sot një takim fushate me punëtorët e një fabrike të kompanisë General Motors në Ohajo. Ai përshëndeti përpjekjet e kësaj kompanie për të prodhuar makina hibride si një mënyrë për të ndihmuar në uljen e vartësisë së Amerikës nga nafta.
Por ai e anashkaloi sugjerimin e një punëtori që të kufizojë marrëveshjet për tregëti të lirë, e cila ka ndikuar fuqishëm në industrinë e automobilëve, duke thënë se izolimi do ta dëmtonte më rëndë ekonominë.