Lidhje

SHBA: Kongresi përpiqet të gjejë zgjidhje për çmimet e larta të naftës


Çmimi i naftës arriti të premten një rekord të ri, në rreth 142 dollarë për fuçi pas parashikimeve të bëra nga krerët e OPEK-ut se në pak muajt e ardhshëm çmimi mund të arrijë deri në 170 dollarë për fuçi. Në Shtetet e Bashkuara, konsumatorët po përgatiten për çmime më të larta benzine ndërsa Kongresi po përpiqet të gjejë zgjidhje. Gjatë këtij viti, në Kongres janë mbajtur 40 seanca dëgjimore për çështjen e çmimeve të naftës.

Ndërkohë që rritet nervozizmi i konsumatorëve amerikanë për çmimet e larta të benzinës, po shtohen edhe përpjekjet e ligjvënësve për t’ja hedhur fajin dikujt ose diçkaje. Në të kaluarën, kritikat janë përqendruar më tepër te kompanitë e mëdha të naftës, tek OPEK-u dhe kohët e fundit tek spekullatorët e tregut. Por në një seancë të këtyre ditëve, Daniel Yergin, President i firmës Cambridge Energy Research Associates, tha se arësyet për rritjen e pandalshme të çmimeve janë të komplikuara.

"Prirja është për të gjetur një shpjegim të vetëm. Për diçka kaq të madhe nuk ekziston një shpjegim i vetëm."

Yergin nuk e përjashton rolin e spekulatorëve por e ve theksin tek disa fakte ekonomike bazë, si oferta e kufizuar, dobësimi i dollarit, rritja e kërkesës botërore dhe çrregullimet në prodhimin e naftës. Ai thotë duhet kuptuar se si kanë ndryshuar tregjet e naftës për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

"Bota ndodhet në një pikë kritike përsa i përket naftës. Presioni mbi tregjet, ndikimi mbi konsumatorët dhe ekonominë, të gjitha këto ndryshime na tregojnë se pika kritike është shumë afër. Tregjet nuk rriten pafundësisht. Dhe qysh tani po shohim reagimin. Në vitin 2007, kërkesa për benzinë në Amerikë arriti pikën kulmore dhe ka filluar të bjerë."

Raportet e qeverisë tregojnë se konsumi i benzinës në Amerikë ka rënë, e para rënie kjo në 17 vjet. Të konsumosh më pak nuk është zgjidhja më e lehtë, por sipas ekspertit është një zgjidhja më praktike.

"Ne e kemi dyfishuar rendimentin e përdorimit të energjisë 30 vitet e fundit. Do të ishte një objektiv i arësyeshëm nëse e dyfishojmë përsëri. Mendoj se mund ta pakësojmë konsumin në masën 700 deri 900 mijë fuçi në ditë, pa i prekur shumë konsumatorët."

Yergin thotë se çmimet rekord të naftës pasqyrojnë frikën e tregjeve se rritja e kërkesës botërore për energji një ditë do ta tejkalojë ofertën – diçka që zoti Yergin e quan “psikologji dritëshkurtër”.


XS
SM
MD
LG