Lidhje

Situata në Kosovë, në  këndvështrimin e  analistëve Petersen , Server


Situata e krijuar në Kosovë në këtë periudhë kalimtare transferimi kompetencash si dhe përpjekjet e Beogradi për të siguruar një ndarje de facto të Kosovës, ka ngjallur shqetësim tek mbështetësit perëndimorë të shtetit të ri. Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë Soren Jessen Petersen dhe eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server thonë se rruga për ta shmangur këtë skenar është presioni ndaj Serbisë.

Të dy ekspertët thonë se gjendja e krijuar është kaotike në kushtet e paqartësisë së kompetencave ndërkombëtare dhe ndikimit që Beogradi vazhdon të ketë tek serbët e veriut të Kosovës.

Zoti Server i Institutit të Paqes thotë se duhet bërë e qartë që Kosova është e pavarur dhe e gjitha nën qeverisjen e Prishtinës, por ai shpreh shqetësimin se nuk ka pasur hapa energjikë për këtë çështje.

"Nga ana tjetër unë e kuptoj që nëse ndërhyn me energji the dështon, gjendja keqësohet më shumë dhe bëhet kaos. Kështuqë ka nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian dhe disi edhe të Kombeve të Bashkuara për të vendosur autoritetin e Prishtinës në ato zona, por objektivi duhet të jetë që të mos lejohet ndarja".

Ai thotë se të dyja organizatat duhet të kenë një plan për ta frenuar një gjë të tillë. Zoti Jessen-Petersen, një nga drejtuesit e një zyre konsulence të quajtur "Diplomati i Pavarur", thotë se Bashkimi Evropian duhet t'ia bëjë shumë të qartë Serbisë se nëse do të ecë drejt integrimit, duhet të heqë dorë nga hapat që synojnë ndarjen e Kosovës.

"Duhet të ketë një rrjedhë logjike në deklaratat e Brukselit. Nuk mundet nga njëra anë të thuash 'nuk do të lejojmë kurrë ndarjen' dhe nga ana tjetër të mos bësh asgjë nëse në fakt ndarja po ndodh në praktikë. Ky është investimi më i rëndësishëm politik dhe financiar që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndonjëherë".

Megjithëse zoti Jessen-Petersen thotë se dëshira ekziston për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ky proces nuk duhet të vazhdojë nëse Serbia pengon rolin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Zoti Server është dakord.

"Ne nuk duhet thjesht të shpresojmë, por duhet të bëjmë presion ndaj Beogradit që të sigurohemi që qeveria e re atje ta kuptojë se ky qëndrim për Kosovën do të dëmtojë perspektivën e Serbisë për të hyrë në Bashkimin Evropian".

Ndërsa serbët e Kosovës mbledhin të ashtuquajturin parlamentin e tyre, zoti Server thotë se është e qartë që ai është i paligjshëm. Megjithatë, shton ai, Prishtina duhet ta bëjë të qartë se i mirëpret serbët.

"Është e qartë që është Beogradi që po pengon pjesëmarrjen e serbëve në Kosovë në institucionet kosovare. Dhe është në interesin e Beogradit ta bëjë këtë sepse programi i tyre është për ndarjen".

Por ai shton se ndërsa serbët e zonave në Jug të lumit Ibër po e pranojnë gradualisht pushtetit e Prishtinës, ndërhyrja e Beogradit po e pengon integrimin e serbëve në veri të lumit. Në fakt zoti Petersen thotë se masa të tilla si nxitja e mbledhjes së parlamentit serb të Kosovës, e bëjnë më të vështirë për serbët të shohin një të ardhme atje.

"Çka është edhe më serioze, këto masa sakrifikojnë kryesisht dy të tretat e serbëve që jetojnë në pjesët jugore dhe lindore të Kosovës, sepse nga këto masa nëse kanë si synim ndarjen, do të përfitonin vetëm serbët e veriut të Kosovës, duke sakrifikuar shumicën e serbëve në vend".

Zoti Petersen thotë se ndërsa autoritetet e Kosovës kanë treguar maturi dhe durim këto muaj, ata duhet të punojnë më intensivisht për njohjen e shtetit të ri nga më shumë vende.

Të dy ekspertët thonë se gjendja e krijuar si nga bllokimi diplomatik që po bën Rusia për një njohje të plotë të Kosovës, ashtu edhe nga programi serb për ndarje, dëmton të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, si nga pikëpamja e sigurisë, ashtu edhe e bashkëpunimit rajonal. /mm/


XS
SM
MD
LG