Lidhje

Rusi: Suksesi i sipërmarrjeve, zgjedhje mes rryshfetit dhe burgut


Suksesi i sipërmarrësve varet shumë edhe nga puna e gjykatave. Sa më të drejta të jenë ato në vendimet e tyre për zgjidhjen mosmarrëveshjeve të biznesit, aq më të mira janë kushtet për sukses në biznes. Por në Rusi, biznesi po vuan nga ajo që presidenti Dmitri Medvedev e ka quajtur "nihilizëm ligjor", ose mosrespektimi në masë i ligjit. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë për faktin se si abuzimi i ligjit nga zyrtarët krijon rreziqe, që dy sipërmarrës rusë nuk i kishin menduar kurrë.

Silici është një lëndë shumë e kërkuar në gjithë botën. Ai përdoret në mjekësi, industrinë e aeroplanëve dhe në orenditë shtëpiake.

Sofex, një kompani në Moskë, ka prodhuar silic për tregun rus që nga viti 1991. Kjo kompani prodhon kimikate të tjera dhe siguron rreth 30 milionë dollarë në të ardhura, prej tyre gati 25 për qind fitime. Drejtori i kompanisë, Aleksei Protski, thotë se suksesi Sofex-it do të ishte edhe më i madh nëse nuk do të ekzistonin kërkesat burokratike të qeverisë.

"Për një menaxher, kërkesat e shumta burokratike bëjnë që të humbitet shumë kohë, ndërkohë që ulet prodhueshmëria".

Agjencia e lajmeve Interfax njoftoi kohët e fundit se bizneset u paguajnë çdo vit zyrtarëve qeveritarë një shumë prej 33 miliardë dollarësh në ryshfete. Konfirmimi i kësaj shumë është i pamundur, por menaxherët e kompanisë Sofex thonë se burokratët kërkojnë vazhdimisht rryshfete para se të japin liçencat madje kanë autoritet që të burgosin ata që refuzojnë.

Para dy vjetësh, drejtoresha financiere e kësaj kompanie, Jana Jakovleva, qëndroi 7 muaj në burg sepse kundërshtoi përpjekjet e një burokrati për t'i bërë shantazh kompanisë. Zonja Jakovleva thotë se sistemi rus i inkurajon zhvatjet.

"Ata vlerësohen në bazë të pikëve. Një burokrat merr pikë për çdo çështje gjykate që ai hap ose për çdo kompani që ai mbyll. Dhe kjo i jep atij një vlerësim të mirë".

Zonja Jakovleva thotë se inspektorët vazhdimisht kërcënojnë sipërmarrësit me mbylljen e një kompanie ose me kërkesa për rryshfete që kompania të qëndrojë e hapur.

Kompania Sofix gjithashtu u bë viktimë e agjentëve të korruptuar të luftës kundër narkotikëve, të cilët u hakmorën kundër zonjës Jakovleva dhe zotit Protski, duke i dënuar ata me burg nën akuza false, pasi ata refuzuan të bashkëpunonin për prodhimin e një solucioni që përdoret për drogat e paligjshme. Zonja Jakovleva thotë se prokurorët nuk kanë arsye përse të vënë në pikpyetje një akuzë false.

"Nuk është detyra e prokurorit që të bëjë hetime, por që të tregojë efektshmëri. Dhe efektshmëria përkthehet në numrin e çështjeve që nxiren para gjykatës dhe në numrin e fajësive".

80 punonjës të Sofix-it vazhduan punën e kompanisë ndërkohë që dy drejtorët e tyre ndëruan 5 avokatë mbrojtës, para se të gjenin një avokat, të gatshëm për të mbrojtur pafajësinë e tyre në vend që të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje tipike me prokurorët.

Dy drejtorët e kompanisë, Jakovleva dhe Protski, u shpallën të pafajshëm pas një fushate të kimistëve rusë, që i detyruan hetuesit të pranonin se kjo çështje nuk kishte bazë. Kimistët i kuptuan fare mirë ndërlikimet për industrinë ruse të kimikateve.

Zoti Protski thotë se abuzimet nga sistemi ligjor datojnë që nga periudha sovjetike, kur individë të fuqishëm përdornin telefonët për t'u thënë gjykatësve si të zbatonin drejtësinë.

"Njerëzit nuk besojnë në drejtësi dhe nuk besojnë se mund të organizohen për t'u vetë-mbrojtur. Në një situatë normale, asnjë gjë e tillë nuk do të ndodhte. Do të ishte e mjaftueshme për sipërmarrësit që të organizonin përpjekjet e tyre për të dënuar çdo burokrat të tillë. Mundësia ekziston. Por tani për tani, sipërmarrësit nuk janë të bashkuar, megjithëse procesi po ecën në drejtimin e duhur, por shumë ngadalë".

Zoti Protski thotë se mungesa e një sistemi të pavarur juridik nuk është keq vetëm për biznesin, por edhe për udhëheqjen e lartë ruse, sepse burokratët e nivelit të mesëm e të ulët e bëjnë të pamundur menaxhimin e vendit në mënyrë të efektshme.

Sipërmarrësi Protski thotë se presidenti rus Medvedev ka përcaktuar nevojën për reforma në sistemin ligjor të vendit dhe tani duhet të marrë hapa praktikë për t'i zbatuar ato. Zonja Jakovleva shton se Rusia ka nevojë gjithashtru për një shtyp të ri për të ekspozuar krimin mes burokratëve. //rd//




XS
SM
MD
LG