Lidhje

Shpërthim në një depo armësh pranë Sofjes, pa shkaktuar viktima


Në Bullgari, zyrtarët thonë se shpërthime të fuqishme shkatërruan një depo municioni pranë Sofjes, duke shkaktuar panik mes banorëve, por jo viktima. Autoritetet thonë se shpërthimi ndodhi sot herët, pranë fshatit Çelopeçene. Shpërthimi tronditi zona të banuara, duke thyer xhama brenda në Sofje dhe në periferi të kryeqytetit bullgar. Edhe pas rreth një ore nga shpërthimi i madh, mund të dëgjoheshin shpërthime më të vogla.

Zyrtarët e mbyllën aeroportin ndërkombëtar të Sofjes pas incidentit, për shkak të mungesës së kushteve të sigurta për të fluturuar. Zona përreth depos u evakuua dhe atje janë çuar ekipe të emergjencës. Zyrtarët thonë se nuk ka rrezik për ndotje me kimikate, por i këshillojnë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, si masë paraprake. Ministri bullgar i Mbrojtjes Nikolai Tsonev tha se në depo kishte rreth 20 tonë municione.//lk

XS
SM
MD
LG