Në Shqipëri presidenti Bamir Topi tha të hënën se problemet politike nuk duhet të infektojnë sistemin e drejtësisë. Komentet e kreut të shtetit u bënë gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe vijnë pas një përplasjeje të fortë mes tij dhe shumicës së djathtë e cila rrëzoi 5 kandidaturat e propozuara prej tij për anëtarë të gjykatës së lartë. Këshilli u përfshi në debate të gjata edhe pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë për verifikimin e ligjshmërisë së aktivitetit të nënkryetarit Kreshnik Spahiu duke e hedhur më pas poshtë këtë kërkesë.
Presidenti Bamir Topi e nisi mbledhjen duke nënvizuar se angazhimi i tij do të jetë për konsolidimin gjithnjë e më shumë të shtetit të së drejtës. Kreu i shtetit e bëri të qartë se vlerësimet në fjalën e tij nuk ishin thjesht një trajtim në parim i çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë por se i referoheshin zhvillimeve të fundit dhe debateve rreth këtij sistemi delikat.
Pak javë më parë parlamenti me votat e shumicës rrëzoi 5 kandidaturat e propozuara prej tij për anëtarë të gjykatës së lartë duke shënuar një përplasje të fortë me kreun e shtetit i cili e konsideroi këtë veprim si një ekzekutim politik.
Sot në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ai foli për nevojën e dialogut larg retorikave të qëndrimeve personale:
"Suksesi i një shteti nuk qëndron në retorikat e qëndrimit personal, që mund të çojnë në një acarim tensionesh ndërinstitucionale, dhe madje, edhe në përgjegjësim të tyre. Përkundrazi, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe mirëkuptimi janë pjesë e vizionit të demokracisë, pasi kjo e fundit, aq sa reflekton soliditet, aq ka edhe brishtësi".
Sipas kreut të shtetit Drejtësia duhet të funksionojë në bazë të parimeve të njohura e të pandikuara nga politika e momentit:
"Problemet politike të një shteti, në asnjë rast nuk duhet të infektojnë sektorin e drejtësisë. Drejtësia bazohet në parime universale dhe ka një shprehje që thotë se "Parimi nuk pranon as mëdyshje, as shkallëzim". Parimet vlejnë në çdo kohë. Ato nuk lidhen me legjislatura apo mandate dhe janë garancia juaj më e mirë në llogaridhënien përpara vetes, shtetit dhe shoqërisë".
Por edhe mbledhja e së hënës nuk i ka shpëtuar megjithatë përplasjeve. Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar ngritjen e një komisioni për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë së nënkryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu. Shkak janë bërë komentet publike të zotit Spahiu për tre gjyqtarë ndaj të cilëve është propozuar shkarkimi pasi mendohet që në shkelje të ligjeve i kanë dhënë pafajsinë Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë shqiptare që vepronte në Gërdec e që kish qenë më parë i akuzuar për kontrabandë. Sipas Ministrit Alibeaj zëvendëskryetari i KLD-së e ka futur këtë institucion në një përplasje politike. Por kërkesa e tij nuk gjeti mbështetje nga Këshilli i cili në unanimitet e hodhi poshtë atë.