Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, ashtu sikurse shumica e shoqatave sportive, e ndalon përdorimin e substancave që përmirësojnë rezultatet sportive. Agjencia Botërore Kundër Dopingut thotë se këto substanca rrezikojnë jo vetëm shëndetin e atletëve por edhe integritetin e garave atletike. Megjithatë, duke parë se akuzat dhe njoftimet për përdorimin e dopingut nga atletët vazhdojnë, kjo çështje mund të hedhë hije edhe mbi Lojërat e ardhshme Olimpike të Pekinit.
Atleti etiopian i vrapimeve të gjata dhe dy herë fitues i medaljeve të arta
olimpike Heli Gebreselasi thotë se stërvitja në një lartësi prej tre mijë
metrash mbi nivelin e detit i jep atij një avantazh të natyrshëm në gara. Ai
thotë gjithashtu se përdorimi i dopingut është mashtrim. "Unë e kam thënë
gjithmonë. Mund të të mashtroj ty dhe një mijë të tjerë. Po si mund të mashtroj
veten?," thotë atleti.
Megjithatë, disa atletë kanë përdorur mashtrimin për vite me radhë, duke përdorur susbstanca si steroide për të fituar. Vitin e kaluar, ylli amerikan olimpik Marion Xhons pranoi se kishte gënjyer hetuesit rreth përdorimit së substancave të ndaluara për përmirësimin e rezultateve. Asaj iu morën pesë medaljet olimpike të fituara që nga Lojërat e vitit 2000 në Sidnei dhe u dënua me gjashtë muaj heqje lirie.
Megjithëse publiciteti negativ për atletët dhe dopingun mund të njollosë Lojërat Olimpike, ai në të njëjtën kohë dërgon mesazhin se këto substanca nuk do të tolerohen. "Atletët e dinë se edhe nëse arrijnë t'i gjejnë këto droga dhe t'i përdorin, ata përsëri do të zbulohen," thotë Trevis Tigart, kreu i Agjencisë Amerikane të Anti-Dopingut.
Kjo agjenci duhet të garantojë zhvillimin e garave në kushte sa më të drejta pa doping. Ajo u bën 8 mijë analiza të rastit brenda një viti atletëve olimpikë amerikanë për të zbuluar përdorimin e substancave të ndaluara si steroidët që formojnë muskuj, por që mund të shkaktojnë gjithashtu edhe sëmundjet e mëlçisë dhe kancerit. Agjencia jep udhëzime rreth substancave të ndaluara dhe dënon atletët që shkelin rregullat. "Në një çështje normale të përdorimit të steroidëve jepet një pezullim prej dy vjetësh dhe diskualifikim i rezultateve për shkeljen e parë. Nëse përsëritet, mund të dënohesh për gjithë jetën."
Shumica e vendeve tani kanë programe që kontrollojnë dhe mbështesin atletët olimpikë. Programi olimpik i Koresë së Jugut i inkurajon atletët të konsultohen me stafin mjekësor para se të marrin ilaçe, dhe madje edhe tableta të prodhuara nga bimë mediciale.
Jang Sung-ho ishte fitues i medaljes së argjendtë në xhudo gjatë Lojërave Olimpike të Athinës. Ai thotë se përvoja e atletëve që humbin medaljet për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara i ka bërë atletët e sotëm olimpikë më të kujdesshëm. "Një atlet theu rregullat një herë duke marrë ilaç për rrufë që e kishte blerë në një farmaci të zakonshme para shumë kohësh. Pas asaj, të gjithë atletët gjithmonë i marrin ilaçet nga farmacitë e qendrave të stërvitjes, dhe shpesh nuk marrin fare ilaçe."
Megjithëse përhapja e informacionit dhe zbatimi i rregullave e kanë bërë të vështirë mundësinë e mashtrimit, ky fenomen përsëri mund të ndodhë. Piter Sonksen, profesor endokrinologjie në spitalin Saint Tomas në Londër ka qenë këshilltar i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik për dopingun. Ai thotë se substancat e reja si hormonet për rritjen e njeriut janë vështirë për t'u zbuluar. "Mendoj se përgjigja është lufta e vazhdueshme kundër mashtrimit. Ka filluar që prej 20 vjetësh dhe mendoj se do të vazhdojë përgjithmonë."
Zyrtarë të anti-dopingut thonë se shumica e atletëve e mirëpresin shtimin e
analizave si mënyrë për garantimin e integritetit të Lojërave Olimpike. //ad//