Lidhje

Thaçi: Konferenca e donatorëve për Kosovën arriti sukses të plotë


Bashkimi Europian premtoi 789 milionë dollarë ndihma për Kosovën në Konferencën e donatorëve që u mbajt të premten në Bruksel. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn tha se Bashkimi Europian është i përkushtuar për të plotësuar nevojat e Kosovës, të cilën ai e quajti një çështje "thellësisht" europiane. Shtetet e Bashkuara do të japin 400 milionë dollarë. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se qeveria e tij kishte bërë kërkesë zyrtare për t'u pranuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi a i arritët ju synimet me të cilat shkuat në këtë konferencë?

Hashim Thaçi: Konferenca e donatorëve për Kosovën e organizuar për herë të parë që pas luftës ka arritur sukses të plotë. Edhe objektivat e përmendura dhe të prezantuara në konferencë janë plotësuar dhe kanë fituar mbështetje të plotë nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga donatorët. Kosova sot ishte një përfituese meritore nga kjo konferencë dhe gjatë dy viteve të ardhshme Kosova do të marrë 1,2 miliard Euro apo 1,9 miliard dollarë. Kjo është një mbështetje e fuqishme nga Komisioni Europian, një mbështetje e jashtëzakonshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nga vendet që janë në procedurat e njohjes dhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur atë. E gjithë bota demokratike i beson Kosovës, beson se kemi vendosur një qeverisje të mirë, beson në vendosjen dhe funksionimin efikas të institucioneve, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimit të pakicave dhe përkushtimit demokratik dhe vizionit për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, konferenca ishte vetëm hapi i parë, por Kosova përballet në të ardhmen me një sërë problemesh të mëdha dhe sfida të thella ekonomike. Konferenca pra është hapi i parë, dhe tani përgjegjësia bie mbi qeverinë tuaj, për t’i shfrytëzuar me sukses këto ndihma. A do të arrini të jeni të efektshëm në thithjen e ndihmave për t’i vënë ato me efikasitet në shfrytëzim të ekonomisë së Kosovës.

Hashim Thaçi: Pikërisht, instalimi i qeverisjes së mirë, dëshmia se në Kosovë ka përparim, dhe ky përparim është i përbashkët i institucioneve vendore dhe mbështetjes ndërkombëtare, se në Kosovë ka pasur përparim në kuptimin e zbatimit të projekteve madhore, me një proces krejt transparent është dëshmia më e mirë për ta bindur komunitetin ndërkombëtar se në Kosovë ekziston një mbështetje për zhvillimin ekonomik. Sot, fillon një kapitull i ri për Kosovën, kapitulli i zhvillimit ekonomik. Sot, për Kosovën u shënuan dy ngjarje të rëndësishme, mund të them, në fillim të këtij kapitulli të ri. E para është fillimi i mbështetjes financiare nga e gjithë bota, dhe e dyta, mbështetja e fuqishme politike që u tregua edhe më parë edhe tani me ftesën e presidentit Bush për presidentin dhe kryeministrin e Kosovës për të vizituar dhe zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të thotë se kemi një angazhim të shumëanshëm për përparimin e sigurt në rrugën e prespektivës të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju sot thatë se asnjë donacion nuk do të shkojë në drejtim të gabuar. Çfarë masash do të merrni ju si qeveri, pra që këto ndihma të shfrytëzohen me efektivitet? Kosova është kritikuar edhe për korrupsion ndër të tjera, a do të thotë kjo se ju do të ndërmerrni një luftë të ashpër kundër korrupsionit?

Hashim Thaçi: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë e pakompromis. Nuk do të tolerohet askush, kurdo dhe kudo që të paraqitet. Ky është zotimi im, zotimi i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, ky është vullneti i qytetarëve të vendit. Por ai është edhe kriter i domosdoshëm demokratik për t’u vlerësuar edhe prej komunitetit ndërkombëtar. Qytetarët na kanë besuar që të vendosim një qeverisje të mirë dhe ne kemi filluar të instalojmë atë. Në të njëjtën kohë dua të theksoj se të gjitha projektet e prezantuara, për të cilat edhe kemi fituar mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe donatorëve, janë projektet e duhura, janë projekte të qëlluara dhe meritore për t’u mbështetur dhe shumë bindëse që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, punësimin e njerëzve, hapjen e një qendre sociale, dhe rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës. Por dua të theksoj se për çdo cent që do të investohet në Kosovë do të kërkohet llogari. Prandaj, unë kam kërkuar që të zhvilloj takime të herë pas hershme me donatorët, në mënyrë që ata të vlerësojnë fillimin e zbatimit edhe në terren të projekteve. Pra për të konfirmuar gjithashtu që ky proces madhor të zbatohet edhe në praktikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju thatë se keni kërkuar për t’u anëtarësuar edhe në Fondin Monetar dhe në Bankën Botërore. A jeni të shqetësuar se mosanëtarësimi në OKB mund të paraqesë pengesë për t’u anëtarësuar në këto dy institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare?

Hashim Thaçi: Kosova po punon në një rrafsh shumëdimensional, me një përkushtim të shumëanshëm, me një prezentim shumë unik si qeverisje, institucione dhe pjesë e opozitës demokratike. Unë dua të besoj fuqishëm se mbrëmë me aplikimin tonë për anëtarësim në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi plotësuar edhe një kriter për shtetin e ri të Kosovës, por sot kemi marrë ftesën për aplikim edhe nga BERZH-i, çka do të thotë se ky është një vlerësim i ri për suksesin në Kosovë. Për Kosovën po hapet një prespektivë e sigurt, e gjithanshme, një dritare nga e cila do të shihet qartë edhe vizioni ynë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Një histori e suksesshme për Kosovën është e suksesshme edhe për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal si dhe euroaktivizimin e të gjithë rajonit. //bsa//



XS
SM
MD
LG