Lidhje

Bruksel: 1,8 miliard dollarë ndihma për Kosovën


Donatorët ndërkombëtarë premtuan sot rreth 1,8 miliard dollarë ndihma për shtetin e ri të Kosovës në konferencën që u mbajt të premten në Bruksel.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn tha se Bashkimi Europian është i përkushtuar për të plotësuar nevojat e Kosovës, të cilën ai e quajti një çështje "thellësisht" europiane.

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, Henrieta For, tha se Shtetet e Bashkuara do të japin 400 milion dollarë. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë kontibutin më të madh si vend i veçantë.

Ndihmat synojnë të ndihmojnë Kosovën të kapërcejë problemet ekonomike dhe papunësinë e lartë që arrin në rreth 40 përqind. Zyrtarët amerikanë dhe europianë shpresojnë që përmirësimi i infrastrukturës në Kosovë të ndihmojë që ajo të tërheqë investitorë të huaj.

Serbia dhe aleatja e saj tradicionale Rusia e kanë bllokuar mundësinë që Kosova të marrë ndihma nga organizata të tilla si Kombet e Bashkuara. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova kishte paraqitur dje kërkesën për t'u bërë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Anëtare të Bankës Botërore mund të bëhen vetëm vendet sovrane dhe anëtarësimi në këto institucione do t'i jepte një shtytje të re njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Zoti Thaçi ritheksoi gjithashtu synimin afatgjatë të Kosovës për t'u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian. //bsa//

XS
SM
MD
LG