Lidhje

Frid: SHBA do të vazhdojë angazhimin në Kosovë


Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në të gjitha aspektet në Kosovë. Kështu shprehet Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Daniel Frid, i cili shton se edhe pjesëmarrja e amerikanëve në misionin EULEX në Kosovë është diçka që ndodh për herë të parë. Zoti Frid thotë se suksesi ekonomik i Kosovës do të varet nga ato që do të bëjë qeveria e saj dhe jo nga kundërshtimi i vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Frid, si mund t’i karakterizoni marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?

Daniel Frid:Marrëdhëniet janë veçanërisht të ngrohta. Ne e përshëndesim qeverinë e Kosovës për arritjet e saj që pas shpalljes së pavarësisë, siç ishte miratimi i Kushtetutës si dhe duke vazhduar me miratimin e ligjeve sipas pakos Ahtisari dhe duke marrë masa që Kosova të jetë shteti i të gjithë banorëve që jetojnë aty.

Zëri i Amerikës:Ndërsa BE po zëvendëson UNMIK-un, çfarë roli do të luajnë Shtetet e Bashkuara në të ardhmen. A do të vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të jenë angazhuara dhe si?

Daniel Frid: Absolutisht.Ne kemi qënë të angazhuar në Kosovë që përpara 1999, por veçanërisht më pas. Ne kemi ndihmuar përmes procesit diplomatik të çojmë Kosovën drejt pavarësisë. Ne jemi krenarë për këtë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë të angazhuar në të gjitha aspektet. Trupat amerikane janë pjesë e misionit të NATO-s. Aleanca do të qëndrojë në Kosovë përsa kohë që të nevojitet, amerikanët do të marrin pjesë në misionin e ardhshëm të EULEX-it. Kjo është hera e parë që e bëjmë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës:Çfarë ndikimi do të ketë për të ardhmen e Kosovës, kundërshtimi i Rusisë për pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB-së?

Daniel Frid:Ne na vjen keq që Rusia nuk ka luajtur një rol konstruktiv. Ky qëndrimi rus ka shërbyer për të forcuar krahun radikal serb. Por në të adhmen afatgjatë nuk mendoj se do të ketë ndikim të madh për të ardhmen e Kosovës.Ekonomia e Kosovës do të varet nga qëndrimet dhe masat që do të marrë vetë qeveria e Kosovës dhe biznesmenët e Kosovës dhe jo nga çfarë qëndrimi do të mbajë Rusia. Konferenca e donatorëve në Bruksel ishte një sukses i madh, duke siguruar rreth 2 miliardë dollarë ndihma. Ky është një fillim i mirë. Tani i takon qeverisë të zhvillojë infrastrukturën, të tërheqë investimet e huaja dhe të vërë në lëvizje ekonominë. Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më pak të afta do të jenë forcat e jashtme për shkaktuar probleme.

Zëri i Amerikës:Këto janë qëndrime shumë optimiste ...

Daniel Frid:Optimist në se qeveria e Kosovës bën atë që duhet bërë.

Zëri i Amerikës:Çfarë duhet të bëjnë ata, pasi Kosova ka shumë sfida përpara?

Daniel Frid:Pa dyshim që ka. Ne kemi përvojë se si mund të zhvillohet një vend ish komunist. Duhet të krijohet së pari infrastruktura bazë e një shteti modern. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për rrugët, por për ligjet e investimeve, për mos-ekzistencën e korrupsionit në sistemin bankar, krijimi i shërbimeve financiare, e drejta e pronës, drejtësi e paanshme. Investimet do të vijnë, por në se ka korrupsion, në vend do të qëndrojnë vetëm paratë e pista dhe njerëzit do të vazhdojnë të jenë të varfër, ndërsa kriminelët pasurohen. Në se krijohet një klimë e shëndoshë biznesi, në se ekziston një klimë e shëndetshme investimi, njerëzit do të kenë punë dhe vendi do të zhvillohet.

Zëri i Amerikës:Të qëndrojmë tek Mitrovica. Ky rajon de facto është ndarë. A mund do të mund të mbetet ajo pjesë e Kosovës?

Daniel Frid: Do të duhet kohë e gjatë. Kjo nuk nuk filloi dje. Filloi më 1999. Dhe do të duhet durim dhe vetë-përmbajtje, por po ashtu këmbëngulje nga qeveria e Kosovës dhe nga EULEX-i. Ndarje të Kosovës nuk do të ketë. Dua ta bëj të qartë këtë. Kjo nuk do të ndodhë. Të mos harrojmë se shumica e serbëve në Kosovë jetojnë në jug të lumit Ibër. Pra ideja e ndarjes është e kotë.

Zëri i Amerikës:Por në realitet, ndarja ka ndodhur.

Daniel Frid: Pa dyshim që ka probleme në veri. Por sa më e fortë të bëhet Kosova, aq më e fortë do të jetë tërheqja gravitacionale drejt saj. Mendimi im është se serbët në Kosovë, mund mos të kenë qënë entuziastë për pavarësinë e Kosovës, por ata duan të jetojnë jetët e tyre. Dhe shumica e tyre do të preferonin të kishin organizimet e tyre lokale dhe të vazhdonin jetën. Nëse qeveria e Kosovës i afron ata, dhe parandalon radikalët dhe gjaknxehtët nga shkaktimi i trazirave, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vë gjithnjë e më në kontroll kufijtë, dhe në se mbajmë shkaktarët e tjerë të trazirave jashtë, gjendja do të përmirësohet.

Zëri i Amerikës:Çfarë ndikimi, çfarë roli luan Kosova në marrëdhëniet e Amerikës me Serbinë?

Daniel Frid: Ne duam të Serbia të ketë një të ardhme evropiane. Ne nuk ushqejmë ndjenja dashakeqe ndaj Serbisë. Serbia duhet të vendosë vetë se çfarë dëshiron. Ajo mund të zgjedhë të ardhmen evropiane, dhe në një rast të tillë do t’i jepet gjithë ndihma që i duhet. Ose ajo mund të zgjedhë të eksportojë trazira, siç ka ndodhur në të kaluarën, që do të pritet me rezistencën e duhur. I takon Serbisë të bëjë zgjedhjen. Ne shpresojmë që ajo të jetë pro-Evropës.

Zëri i Amerikës: Me gjithë këto zhvillime që po ndodhin sot në botë, çfarë i mban Shtetet e Bashkuara të aangazhuara në Ballkan. Cilat janë interesat amerikane?

Daniel Frid:Nëse Ballkani përfshihet nga lufta, Evropa nuk do të jetë e bashkuar, e lirë dhe në paqe. Ne nuk mund të largohemi nga Ballkani dhe të pretendojmë se gjendja do të përmirësohet pa qënë atje të pranishëm. E provuam këtë njëherë në vitet ’90 dhe të gjithë i dimë pasojat. Ne duhet të qëndrojmë të angazhuar atje. Duam apo s’duam, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi globale. Ne kemi përgjegjësi në Kosovë. Ne do të punojmë jo përkrah, por së bashku me partnerët tanë evropianë. Së bashku ne do të ndihmojmë për ta çuar gjithë këtë rajon, gjithë Ballkanin në Evropë. //bsa//

XS
SM
MD
LG