Lidhje

Shala: Takimi i udhëheqësve të Kosovës me presidentin Bush, me rëndësi historike


Takimi i së hënës i udhëheqësve të Kosovës më presidentin e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, në Prishtinë shihet si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më me peshë për të ardhmen e Kosovës. Vizita e presidentit dhe kryeministrit të vendit në Shtetet e Bashkuara, është e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Ky hap u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua ashpër nga Serbia dhe Rusia.


Analistët thonë se vizita në shtetet e Bashkuara dëshmon për përkushtimin amerikan ndaj të ardhmes së shtetit të ri. Publicisti e analisti i njohur Blerim Shala thotë se pa mëdyshje që takimi i sotëm është me rëndësi historike për Kosovën.


"Nuk ka pasur takim më të preferuar për vetë udhëheqësin tonë, për kosovarët sesa të shkojnë në Uashington dhe të priten nga presidenti Bush, nga zonja Rajs, nga sekretari Gejts, sepse dihet fare mirë se çfarë kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën, veçmas në harkun kohor prej vitit 1992, pra prej kërcënimit të Kërshëndellave e deri sot. Pra është një vizitë falënderimi nga pala kosovare, por është një vizitë ku pak duhet të merremi me të kaluarën e shumë më tepër me të ardhmen", tha zoti Shala.


Ai thotë se vizita e udhëheqësve më të lartë të vendit në Uashington është një rast i veçantë për vendosjen në binarë të duhur të disa proceseve siç është njohja e Kosovës, vendosja e qëndrueshmërisë, çështja e integritetit tokësor, e krijimit të forcës së sigurisë dhe në përgjithësi ndërtimit të shtetit funksional. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë investuar për krijimin e një shteti të tillë dhe që Kosova të jetë një rrëfim i suksesshëm. Zoti Shala beson se takimi i sotëm do të ndikojë edhe në shtimin e numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.


"Presidenti Bush takohet rrallë me burra shteti të vendeve të vogla, siç është Kosova. Dhe në këtë mënyrë përçohet një mesazh shumë i qartë se prapa këtij shteti qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe perëndimi në përgjithësi. Kjo është një punë e madhe. Asesi nuk duhet të mos e vlerësojmë me nota më të larta, megjithëse, duhet të themi hapur që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë punë të jashtëzakonshme prej 17 shkurtit. Duhet thënë sinqerisht që shumica e njohjeve që kanë pasuar prej 43 shteteve, janë rezultat i partneritetit midis Uashingtonit dhe Brukselit, i partneritetit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkimit Evropian".

Zoti Shala, është pjesë e një nisme joqeveritare që angazhohet për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën. Ai thotë se njohja e deritashme e pavarësisë nga mëse 40 vende të botës paraqet një fillim të mirë të procesit që më vonë shënoi një ngecje dhe kjo çështje kërkon një analizë reale.

"Kemi një koncentrim të njohjeve. Kur e shihni hartën e botës dhe ta zëmë, i bëni me ngjyrë të kaltër shtete që na kanë njohur, ju do ta shihni që kemi gati krejt Evropën, kemi gati krejt hemisferën perëndimore që na kanë njohur, ndërsa kemi probleme të mëdha me shtetet e kontinenteve si në Azi, në Amerikën Latine, në Afrikë që akoma hezitojnë, akoma nuk e dinë për çfarë bëhet fjalë. Mendoj që në këtë aspekt ne mund të bëjmë, diplomacia jonë megjithëse i ka hedhur tek hapat e parë, kemi shumë pengesa në këtë aspekt, kemi shumë probleme, por mund të bëhej shumëçka për arsye se shumëkush prej këtyre shteteve dëshiron të shohë se çka është Kosova, pse në jemi bërë shtet, pse e kemi merituar që të bëhemi shtet".

Zoti Shala është i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit. E kaluara është dëshmi e një qëndrimi të tillë të Shteteve të Bashkuara, roli udhëheqës i të cilave në procesin politikë në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm.//kk//

XS
SM
MD
LG