Lidhje

Ollbrajt, Igëllbërgër përshëndesin arrestimin e Karaxhiçit


Politikanët amerikanë e përshëndetën arrestimin e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, mbi të cilin rëndojnë 13 aakuza për krime lufte, përfshirë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Dy ish-Sekretarë Shteti thanë në komentet për Zërin e Amerikës se arrestimi i Karaxhiçit do të ndihmojë Serbinë të hedhë hapa përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Pas 13 vjet qëndrimi në arrati për t'u shpëtuar autoriteteve, udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç u kap të hënën nga forcat serbe të sigurimit.

Ish-Sekretarja e Shtetit Madalen Ollbrajt i tha Zërit të Amerikës se arrestimi i Radovan Karaxhiçit është një hap i madh drejt ripajtimit në rajon:

"Mendoj se është një zhvillim madhor, historik. Kapja e tij duhet të ishte bërë kohë më parë, por fakti që u realizua tani, është shumë i rëndësishëm për popullin e Bosnjes dhe ata që vuajtën pasojat e politikave të Karaxhiçit."

Radovan Karaxhiç kryesonte listën e Gjykatës së Hagës me personat më të kërkuar. Mbi të rëndojnë 13 akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë për gjenocid dhe për organizimin e rrethimit më të gjatë në historinë moderne – bllokadën vdekjeprurëse 44-muajshe të Sarajevës.

Sekretari i Shtetit nën administratën e presidentit të parë Bush, Lorenc Igëllbërgër, thotë se arrestimi i Karaxhiçit është një hap i madh përpara për drejtësinë ndërkombëtare:

"Mendoj se ai është një ndër pjesëtarët e fundit të këtij grupi të shëmtuar, që ende nuk janë kapur. Ai nuk është i vetmi, por ndoshta me arrestimin dhe më pas vdekjen e Sllobodan Millosheviçit, mendoj se Karxhiçi është personi që e meritonte më shumë të kapej dhe dënohej."

Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç ende nuk janë kapur. Serbia është ndeshur me presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian për të kapur të akuzuarit e tjerë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë dje se arrestimi i Radovan Karaxhiçit mund të hapë rrugën për anëtarësimit e Serbisë në të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Sekretari Igëllbërgër thotë se ky arrestim do ta ndihmojë Serbinë:

"Nëse Serbia dëshironte të gëzonte përsëri mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të Evropës Perëndimore e sidomos të Shteteve të Bashkuara, autoritetet e Beogradit e kuptuan se kjo ishte diçka që kërkonte zgjidhje."

Partitë nacionaliste u dobësuan në Serbi kur qeveria e re pro-perëndimore mori pushtetin muajin e kaluar. Sekretarja Ollbrajt thotë se arresti tregon se Beogradi është i gatshëm të shkëputet nga e kaluara nacionaliste.

"Shpresoj shumë që zgjedhja e Presidentit Tadiç të jetë e bazuar në dëshirën e votuesve serbë për të ecur përpara dhe për të lënë pas të kaluarën. Do të jetë interesante të shohim si do të reagojnë shumica e serbëve. Pa dyshim ka ultranacionalistë, të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre, por mendoj se populli serb dëshiron të ecë përpara."

Lufta e viteve 1992-1995 për pavarësinë e Bosnjes la mbi 100 mijë të vdekur dhe zhvendosi 2 milionë të tjerë. Sipas një raport të CIA-s në vitin 1995, shumica dërrmuese e krimeve të luftës gjatë luftës së Bosnjes u kryen nga serbët e Bosnjes.

Radovan Karaxhiçi do të ekstradohet në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte, në Hagë. //ad//
XS
SM
MD
LG