Lidhje

Ambasadori Uilliamson mirëpret kapjen e Radovan Karaxhiçit


Eksperti më i lartë për krime lufte në Departamentin e Shtetit e mirëpriti arrestimin e ish udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç nga Serbia, dhe tha se ky është një hap i mirë për të ardhmen e Serbisë drejt Europës. Ambasadori Klint Uilliamson thotë se arrestimi duhet të jetë shqetësues për ish-shefin ushtarak serb të Bosnjes Ratko Mlladiç, i cili është ende në arrati.


Radovan Karaxhiç, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, konsiderohej një nga personat më të kërkuar në Europë.

Kapja e tij në Serbi pas 13 vjetësh në arrati ishte lajm shumë i mirë për zotin Uilliamson, ambasador i posaçëm për krime lufte dhe ish prokuror federal i cili ka punuar vetë në stafin e gjykatës për ish-Jugosllavinë për shtatë vjet me radhë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Uilliamson tha se lufta katër-vjeçare në Bosnje-Hercegovinë, e cila filloi në vitin 1992 drejtohej kryesisht nga programi i zotit Karaxhiç, i cili përdori një fushatë spastrimi etnik kundër myslimanëve dhe kroatëve për të krijuar shtetin e tij të vogël serb.

"Ai krijoi kampe të burgosurish ku njerëzit mbaheshin në kushte të tmerrshme, ai ishte i angazhuar në rrethimin e Sarajevës, ku granadat nuk pushonin së rëni në qytet, ku snajperët qëllonin qytetarët që shihnin punën e tyre. Pastaj, në të gjithë vendin kishte episode të tëra vrasjesh masive, ku forcat nën komandën e tij sulmonin civilët me synimin për t'i dëbuar ata, për t'i eleminuar dhe vranë me mijëra prej tyre."

Arrestimi i Radovan Karaxhiçit ndodhi vetëm pak ditë pas përvjetorit në Bosnjë, të aktit më famëkeq të luftës, masakrës në vitin 1995 të 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, e cila ishte shpallur zonë e sigurt nga OKB-ja, por që pastaj u mor nga forcat serbe. Zoti Uilliamson ishte një nga pjesëmarrësit në këtë përvjetor.

I dërguari amerikan tha se forcat e NATO-s, që ndërhynë për t'i dhënë fund luftës në vitin 1996 ndoshta e kishin patur mundësinë për ta kapur Karaxhiçin që në fillim, por nuk e kishin bërë këtë, dhe pastaj ai ishte fshehur në Bosnjë dhe më pas në Serbi, supozohet nën masa të caktuara mbrojtjeje zyrtare.

Zoti Uilliamson tha se pikë-kthesa në këtë çështje ishte marrja e pushtetit në fillim të këtij muaji nga qeveria pro-perëndimore në Beograd, për të cilën ai shikon përfitime politike nga arrestimi i Radovan Karaxhiçit, dhe lënia pas e të kaluarës së dhunshme të vendit.

"Arrestimi i tij do të ketë ndikim të madh. Integrimi i Serbisë ne BE dhe NATO ka ngecur për shkak se ata nuk kanë bashkëpunuar me gjykatën për krime lufte në Hagë, se ata nuk kishin bërë çfarë duhej për të trajtuar çështjet e papërfunduara dhe veçanërisht arrestimin e personave të kërkuar. Prandaj, fakti që ata tani kanë arrestuar një nga të arratisurit më të rëndësishëm do të jetë gjë e mirë për ta."

Pas arrestimit të Karaxhiçit, në arrati mbeten vetëm ish-shefi i tij ushtarak Ratko Mlladiç dhe një zyrtar tjetër i lartë i enklavës serbe të Bosnjës Goran Haxhiç. Zoti Uilliamson tha se arrestimi i të hënës do të jetë shumë shqetësues për Mlladiçin, personi që akuzohet se ka qenë në krye të vrasjeve të Srebrenicës.

"Ai do të jetë shumë i shqetësuar tani. Ai ka arritur të qendrojë i qetë, duke menduar se qeveria serbe nuk do të përpiqet ta kapë, dhe se duhej të qendronte i fshehur edhe pak deri sa gjykata ndërkombëtare të mbyllej dhe ai të ishte i lirë. Prandaj mendoj se kjo është shenjë shqetësuese për të dhe për ata që e përkrahin."

Gjykata e Hagës ishte planifikuar t'i mbaronte proceset gjyqësore deri në fund të këtij viti dhe të gjithë apelimet e çështjeve deri në 2010-ën.

Zoti Uilliamson thotë se është i bindur se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit do të arrijnë një konsensus për ta zgjatur mandatin e gjykatës sa të jetë e nevojshme për të përfunduar gjyqin e Radovan Karaxhiçit dhe çështjeve të tjera të mbetura. //bsa//

XS
SM
MD
LG