Lidhje

Zannier:  Realiteti i ri në Kosovë ma ka vështirësuar punën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh sot për të diskutuar mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon mbi zhvillimet në Kosovë. Ky është raporti i parë i Sekretarit të Përgjithshëm, që kur zoti Ban urdhëroi përfaqësuesin e tij të posaçëm, Lamberto Lannier të fillojë ri-konfigurimin e UNMIK-ut, për t'iu përshtatur realitetit të ri në terren. Serbia dhe Rusia e kanë kundërshtuar ri-konfigurimin.

Zoti Zannier, theksoi sot para Këshillit të Sigurimit se realiteti i ri në terren, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka vështirësuar përmbushjen e misionit të UNMIK-ut.

Mundësia e UNMIK-ut për të kryer pjesën më të madhe të funksioneve të tij administrative ka ndeshur vështirësi të shumta, si rezultat i veprimeve të qeverisë së Prishtinës dhe serbëve të Kosovës.

Zoti Zannier veçoi si një tjetër sfidë ndaj autoritetetit të UNMIK-ut, strukturat paralele të komunitetit serb, gjë që e kanë ngushtuar tej mase sferën e operimit të UNMIK-ut:

"Si rezultat i thellimit të divergjencave në qëndrimet e komunitetetit serbe dhe autoriteteve shqiptare, terreni në të cilin operon UNMIK-u ka ndryshuar. Që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, ushtrimi i autoritetit tim ligjor dhe Rezolutës 1244 është bërë gjithnjë e më i vështirë në praktikë. Nuk jam më në pozitë për të nxjerrë ligje."

Si rezultat i kësaj situate, UNMIK-u po përgatitet për të ri-konfiguruar misionin e tij. Kapaciteti i UNMIK-ut do të pakësohet në fusha ku praktikisht nuk funksionon, ndërsa do të vazhdojë punën në drejtim të mbarëvajtjes së pakicave.

Në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç theksoi përsëri kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nevojën që të vazhdojë respektimi i rezolutës 1244.

"I përmbahemi deklaratës sonë se përpjekjet e Kosovës për pavarësi përbëjnë janë kundër Kartës së OKB-së, Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe traktate të tjera të politikës moderne. Shpallja e njëanshme e pavarpsisë së Kosovës ka vënë në pikëpyetje serioze domethënien e Rezolutës 1244."

Ministri i Jashtëm serb shprehu zhgënjimin e Beogradit, ndaj asaj që e cilësoi si qëndrim pasiv i Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur autoritetin e tij ekzekutiv, që e merr mandatin nga Këshilli i Sigurimit. Duke folur për ri-konfigurimin, zoti Jeremiç, tha se ri-konfigurimi duhet të realizohet në bashkëpunim të plotë me Serbinë dhe në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, si e vetmja mënyrë për një zgjidhje që gëzon legjitimitet:

"Zëri i Serbisë në ri-konfigurim dhe zhvillime të mëpasshme, nuk duhet të lihet jashtë apo të injorohet. Ky ri-konfigurim duhet të mos cënojë autoritetin e OKB-së, nuk duhet të kapërcejë kufijtë e rezolutës 1244 dhe nuk duhet të cënojë integritetin territorial të Serbisë."

Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni përmendi fillimisht masat që qeveria e Kosovës ka marrë për mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Prishtinës për të hyrë në bisedime me Beogradin si dy shtete të pavarur.

"Ne jemi të hapur për dialog," theksoi ministri i jashtëm i Kosovës. Ai tha se Kosova dhe Serbia janë të lidhura nga pikpamja gjeografike, e infrastrukturës dhe në aspekte të tjera. Zoti Hyseni premtoi se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të reagojë me moderim dhe të vazhdojë të punojë nga afër me autoritetet e Kombeve të Bashkuara ndërkohë që realizohet rikonfigurimi i pranisë së tyre në Kosovë. Ministri shprehu bindjen se vendosja e Eulex-it në gjithë territorin e Kosovës do të ndihmojë në forcimin e sigurisë në vend. //ii

XS
SM
MD
LG