Lidhje

Pas 100 vjetësh, Kuvendi i demokratëve kthehet në Denver


Kanë kaluar 100 vjet që kur takimi i fundit i Kuvendit të Partisë Demokrate për zgjedhjet e kandidatit për president u mbajt në Denver të Kolorados. Në fund të gushtit delegatët do të rikthehen në kryeqytetin e Kolorados. Ata mund të gjejnë një qytet që ka ndryshuar, por programi duket i ngjashëm më atë të para 100 vjetëve.

Qyteti që mirëpret delegatët e Partisë Demokrate muajin e ardhshëm ka ndryshuar shumë që nga fillesat e tij në Perëndimin e Vjetër.

Historia e Denverit fillon me Ethet e Arit të Kolorados në vitin 1859. Pak veta arritën të pasurohen, por shumë të tjerë arritën të hedhin rrënjë në rajonin ku po zhvillohej ekonomia dhe industria e minierave.

Zgjedhja e Kryetarit të Bashkisë Robert W. Speer në vitin 1904 ishte një pikë kthese në historinë e Denverit.

Profesori i Historisë në Universitetin e Kolorados Tom Noel thotë se kryebashkiaku filloi një program punësh publike që solli si rezultat përzgjedhjen e Denverit për të organizuar Kuvendin Kombëtar Demokrat në vitin 1908.

"Ai shpresonte ta bënte Denverin si Parisin, apo ta kthente në një qytet të bukur duke përdorur si model Uashingtonin, Parisin apo Berlinin dhe mori vendimin për ndërtimin e një sërë parqesh dhe një qendre të bukur qytetare, po ashtu edhe një auditori të ri të Bashkisë".

Para një shekulli, para auditorit të bashkisë, banorët vendas përshëndetën delegatët demokratë në Denver me vagona të mbushur me borë nga vargmalet Rocky Mountains aty pranë. Indianët Apashë interpretuan valle lufte, që profesor Noel thotë se u interpretuan kështu nga shtypi.

"Ishte e vështirë të dalloje se cilët ishin indianët e cilët demokratët, përveç faktit që demokratët flisnin me zë të lartë".

Kostoja e masave të sigurisë, që sot mund të kapë shifrën 50 milionë dollarë, ishte shumë më e ulët në vitin 1908.

"Atëherë kishte vetëm disa hetues dhe policë të Denverit. Ata thoshin se i vetmi problem mund të ishin hajdutët e xhepave, megjithëse pati një betejë me topa bore, ku u arrestuan 40 persona".

Uilliam Xhenings Brajën ishte kandidati kryesor i partisë demokrate në vitin 1908. Ai ishte një orator karizmatik, ashtu si kandidati i këtij viti Barak Obama. Profesor Noel përmend ngjashëri të tjera, si ekonomia e trazuar, kundërshtimi ndaj luftës, sot ajo e Irakut dhe atëherë e ajo Spanjollo-Amerikane, si edhe përpjekjet për të drejtat e grave.

"Në Kolorado, gratë kishin fituar të drejtën e votës në vitin 1893, të parat në gjithë vendin. Si rezultat kishte delegate si në Kuvendin demokrat, ashtu edhe atë Republikan. Por ato ishin zhgënjyer në rastin e Denverit, kur demokratët nuk mbështetën lëvizjen kombëtare për të drejtat e grave, të cilat nuk u përmbushën deri në vitin 1919".

Këtë vit, zyrtarët e qytetit thonë se shpresojnë që afro 41 milion dollarët që do të shpenzohen për kuvendin kombëtar të ndihmojnë në konsolidimin e ekonomisë dhe rritjen e turizmit në rajon. Profesor Noel thotë se organizatorët kishin të njëjtën ide edhe para një shekulli, kur industria e minierave në Denver pothuajse kishte marrë fund.

"Ata po përpiqeshin t'i jepnin një shtysë turizmit dhe kuvendeve. Zyra e Denverit dhe Vizitorëve u themelua po atë vit, për të organizuar edhe kuvende të tjera, pas suksesit me kuvendin e demokratëve".

Megjithëse nuk ka plane për të sjellë borë nga vargmalet Rocky Mountains për të freskuar delegatët këtë gusht, 50 mijë vizitorët në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Denver do të gjejnë një komunitet të zhvilluar urban, i cili para një shekulli bëri një zgjedhje të mençur për të qënë mikpritës i kuvendeve. //kk//

XS
SM
MD
LG