Lidhje

Restorantet në Nju Jork, të publikojnë kaloritë e ushqimeve


Qyteti i Nju Jorkut njihet për qëndrimin aktiv në ndjekjen e rregullave të reja për shëndetin publik. Në vitin 2003, Nju Jorku ndaloi pirjen e duhanit në ambjente të mbyllura. Vitin e kaluar, u ndalua përdorimi në restorante i ushqimeve me yndyrë të përpunuar, e cila është e dëmshme për shëndetin. Tani në Nju Jork kërkohet me ligj, që restorantet të publikojnë dhe të bëjnë të njohur përmbajtjen e kalorive të ushqimeve që shërbejnë, për të ndihmuar në luftën kundër “epidemisë së obezitetit”, që është në rritje. Zyrtarët e qytetit thonë se kjo është mënyra e tyre për të luftuar këtë epidemi dhe qytete të tjera amerikane po ndjekin shembullin e Nju Jorkut.

Departamenti i shëndetësisë i Nju Jorkut thotë se më tepër se gjysma e njerëzve që jetojnë në qytet janë mbipeshë, apo obezë. Tani, ata persona që duan të dinë se sa kalori ka sanduiçi i tyre mund ta mësojnë këtë.

Një rregullore që hyri në fuqi në fund të muajit prill, kërkon që shumica e restoranteve ta bëjnë të njohur përmbajtjen e kalorive të ushqimeve të shërbejnë në menutë e tyre. Ligji ka të bëjë restorante që kanë mbi 15 lokale në mbarë vendin dhe ai përfshin thuajse të gjitha restorantet e ushqimit “fast food”.

Zyra e Kryetarit të Bashksisë së Nju Jorkut citon studime, të cilat tregojnë se njerëzit konsumojnë një të tretën e kalorive që marrin, duke ngrënë jashtë shtëpisë dhe se ata shpesh nuk e dinë e sa kalori ka ushqimi i tyre.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se obeziteti i përhapur në masë, kërkon inkurajimin e një mënyre më të mirë të të ngrënit, në interesin e publikut. Ja si shprehet Zëvendës Komisionerja e Shëndetësisë, Doktoresha Mary Basset.

“Ky është një faktor që shton rrezikun për sëmundje zemre, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve këtu në qytetin e Nju Jorkut; po ashtu, edhe në shumë qytete të tjera në mbarë vendin, si dhe në shumë vende të tjera të zhvilluara”, thotë ajo.

Në restorantin Chipotle Mexican Grill, që ka mbi 20 lokale në mbarë qytetin, klientët porosisin ushqimet e tyre të preferuara. Fakti që një burrito në këtë restorant ka deri në 918 kalori nuk duket se i shqetëson shumë klientët.

Chipotle është njëri nga restorante që e zbaton ligjin, po ashtu dyqani i sanduiçeve “Subway”. Por restorante si McDonald dhe Dunkin’Donuts, nuk e kanë bërë ende praktikë.

Shoqata e Restoranteve të qytetit të Nju Jorkut i është kundërvënë ligjit të ri. Ajo përfaqëson mbi 7 mijë restorante dhe e ka çuar çështjen në gjyq, e ka humbur atë dhe tani e ka çuar në Gjykatën e Apelit. Pronarët e restoranteve argumentojnë se ligji shkel lirinë e tyre të fjalës dhe të ndryshosh menutë është e kushtueshme dhe se Nju Jorku nuk ka prova se këto rregulla mund të jenë të efektshme. Chuck Hunt përfaqëson Shoqatën e Restoranteve të Nju Jorkut.

“13 vjet më parë, administrata e ushqimeve dhe e ilaçeve kërkoi që produket e paketuara, që shiten në supermarkete, të përfshinin informacion, duke përfshirë edhe numrin e kalorive dhe kjo u bë kryesisht për të luftuar obezitetin. Ngrihet pyetja, a ka funksionuar kjo?”

Në mesin e muajit korrik, qyteti do të fillojë t’u verë gjoba restoranteve që nuk zbatojnë rregullat. Qytete të tjera amerikane ose kanë propozuar, ose kanë miratuar rregullore të ngjashme. Deri në muajin gusht, ligji do të fillojë të zbatohet edhe në qytetin e Seatlit, që do të kërkojë jo vetëm që në menutë të të shkruhen kaloritë, ashtu sikurse në Nju Jork, por edhe përmbajtjen e yndyrës, kripës dhe karbohidrateve. //kk//

XS
SM
MD
LG