Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë pasaportat e Republikës së Kosovës të cilët filluan t'u shpërndahen qytetarëve javën e kaluar. Ambasada Amerikane në Prishtinë njofton se "Shtetet e Bashkuara e zyrtarisht e pranojnë pasaportën e Kosovës si dokument të ligjshëm dhe që nga data 1 gusht, administrata amerikane ka miratuar edhe vënien e vizave në pasaportat e Kosovës për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës". Aty thuhet se dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut vlejnë deri në skadimin e afatit të tyre.
Në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë thuhet se Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Qeverinë e Kosovës për dhënien e pasaportës së parë të Kosovës me datën 29 korrik.
Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se pasaportat e reja të Republikës do të njihen nga të gjitha vendet që kanë njohur shtetin e Kosovës. ndërkaq, Sllovakia, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Serbia janë deklaruar se nuk do të pranojnë pasaportat e Kosovës ashtu siç nuk kanë njohur pavarësinë e shpallur më 17 shkurt.
Deri tani pavarësinë
e Kosovës e kanë njohur 43 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe
vendet kryesore të Bashkimit Evropian. //kk//