Kandidati demokrat për president Barack Obama thotë
se ai do të donte të rriste investimet për burimet alternative të energjisë për
të eliminuar varësinë e vendit tek nafta e huaj.
Senatori demokrat tha sot se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen tek burimet e ripërtëritshme të energjisë, si era dhe energjia diellore, si edhe tek përpjekjet për të prodhuar makina që shpenzojnë më pak karburant. Në një takim për fushatë në Indiana, ai tha se rritja e investimeve do të krijonte 5 milionë vende të reja pune në gjithë Shtetet e Bashkuara.
Në Ohajo, kandidati republikan John McCain tha se vendi ka nevojë për një “hov ekonomik” për të ruajtur vendet e punës në Shtetet e Bashkuara dhe për të krijuar vende të reja pune. Ai tha se tani është koha për të vepruar. Ai akuzoi senatorin Obama se do që të rrisë taksat.
Zoti McCain përsëriti mbështetjen për shpimet për naftë në oqean. Por zoti Obama në takimin e tij tha se shpimet e reja në oqean nuk janë zgjidhja e duhur pasi amerikanët nuk do të mund ta përdornin naftën e nxjerrë nga ato shpime para shtatë vjetësh.
Senatori
Obama tha se do që të ndihmojë amerikanët që janë në vështirësi ekonomike, duke
u dhënë atyre një pjesë të fitimeve rekord që kanë nxjerrë kompanitë e naftës.
Objektivi i tij është që deri në vitin 2018 të eliminojë varësinë tek nafta e
huaj. //rd//