Shkencëtarët
e Nasës thanë se sonda Feniks që ndodhet në sipërfaqen e planetit Mars, ka
zbuluar me sa duket praninë e një kripe kimikisht reaktive të quajtur
perklorat. Perklorati është një material toksik që është përdorur për
karburantet e raketave por shkencëtarët thanë se prania e tij nuk e pakëson mundësinë që në Mars të
ketë ose të ketë pasur dikur jetë.
Perklorati tingëllon si i rrezikshëm. Ai përdoret në fishekzjarre apo në çantat e ajrit të makinave. Kimikati gjendet edhe këtu në tokën tonë kryesisht në klima shumë të thata, si në shkretëtirën Atakama të Kilit, ku toka i ngjan asaj të Marsit.
Por fakti që perklorati është toksik, nuk do të thotë që përreth tij nuk mund të ekzistojë jetë, thotë shkencëtari Sam Kounaves i Universitetit Turfs.
"Ka një numër të madh bimësh që përqëndrojnë perkloratin dhe rriten në praninë e tij deri në një farë niveli. Ka shumë bakterje që përdorin perkloratin në metabolizmin e tyre. Pra është një kimikat i dobishëm për shumë organizma".
Gjetja e perkloratit në Mars i habiti shkencëtarët e Feniksit, thotë Peter Smith i Universitetit të Arizonës.
"Perklorati ishte diçka që më habiti. Askush nuk e kishte përmendur mundësinë e perkloratit në tokën marsiane. Mu desh të kthehesha tek tekstet e librave dhe të shihja çfarë ishte ky material. Pra këto javë për mua kanë qënë një periudhë mësimi".
Sonda Feniks është ndërtuar për të kërkuar shenja të pranisë së ujit – jo të perkloratiti apo shenja të jetës.
Zoti Smith tha se konferenca e djeshme telefonike me gazetarët ishte një ndryshim nga tradita meqë analiza e pranisë së perkloratit ishte ende në proces dhe kur pritet ende konfirmimi.
Nasa e organizoi konferencën pas zërave që po qarkullonin prej disa ditësh në internet rreth disa zbulimeve të mëdha në Mars, aq të mëdha saqë ishte informuar edhe Shtëpia e Bardhë. Por zëdhënësi i Nasës Dwayne Brown tha se nuk ka asgjë për tu njoftuar.
Shkencëtarët
duhet të bëjnë prova të tjera për të konfirmuar praninë e perkloratit. Ata
gjithashtu nuk e kanë të qartë në se zona e vogël rreth sondës Feniks
përfaqëson tërë sipërfaqen e Marsit. //iç//