Lidhje

Mustafaj: KKSHA do të vazhdojë të jetë aktiv në Uashington


Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, kulmin e veprimtarisë së vet e arriti gjatë konfliktit në Kosovë. Por që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë zhvillime në rajonet shqiptare, për të cilat kjo organizatë lobon në Washington. Si i sheh kjo organizatë zhvillimet në Ballkan? Cili do të jetë roli i saj në këtë realitet të ri?

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj ju para pak kohësh vizituat rajonin e Ballkanit. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?

Avni Mustafaj: Përgjithësisht për sa i përket Kosovës, shqetësimi ynë më i madh është procesi i rikonfigurimit i cili padyshim duhet të shpejtohet. Transferimi i kompetencave nga UNMIKU tek EULEX-i dhe qeverisja e Kosovës duhet të bëhet më shpejt. Mund të them se ka një pakënaqësi rreth ngadalsimit të këtij procesi jo vetëm te qeveria e Kosovës por edhe në qeverinë e Shteteve të Bashkuara.

Kosova duhet tani të përqëndrohet në dy çështje. Së pari duhet të përqëndrohen në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë vende. Dhe së dyti, tani që në Konferencën e donatorëve u premtuan rreth 1,8 miliard dollarë për Kosovën kjo është shumë e rëndësishme sepse këto fonde duhet të absorbohen sa më shpejtë në pëgatitjen e infrastrukturës, gjë që do të mundësonte një zhvillim ekonomik si dhe t’u mundësojë investitorëve të huaj që të investojnë atje.

Për sa i përket Maqedonisë, e dimë se atje kemi pasur një situatë të vështirë në zgjedhjet e fundit dhe tani është formuar qeveria e re. Më e rëndësishmja tani atje është që Marrëveshja e Ohrit të kthehet sërish në rrugën e saj. Mendoj se atje politika ka qenë shumë më e rëndësishme se qeverisja dhe kjo duhet të ndryshojë. Mendoj se udhëheqësit e Maqedonisë më tepër duhet të përqëndrohen në qeverisjen e vendit se sa të luajnë lojëra politike.

Në lidhje me Malin e Zi mendoj se shqiptarët atje vazhdojnë të jenë shumë të ndarë. Partitë politike nuk pajtohen për asgjë. Ata duhet të punojnë me qeverinë për të mundësuar që shqiptarët në Mal të Zi të kenë qasje në mundësitë ekonomike, përfaqësimin në qeveri, etj. dhe në këtë drejtim mendoj se udhëheqësit politikë do të mund të ishin shumë më të efektshëm nëse arrijnë ta gjejnë një mënyrë për të lënë anash inatet përsonale ndërmjet tyre dhe të përqëndrohen më tepër se si të ecin përpara jo vetëm ata por edhe populli.

Gjatë vizitës në Shqipëri mund të them se atje kemi parë një sukses në miratimin e disa ligjeve ku kanë punuar bashkë pozita dhe opozita. Në aspektin ekonomik vendi ka një përmirësim të madh ekonomik. Mund të shohësh ndërtime rrugësh gjithandej. Mendoj se autostrada Durrës - Morinë, jo vetëm që do të lidh Shqipërinë me Kosovën dhe të rrisë tregtinë, por do ta rrisë edhe vlerën e asaj pjesë të Shqipërisë ku po ndërtohet kjo rrugë.

Një gjë tjetër që mendoj kjo rrugë do të bëjë, është se do t’i bëhet e qartë Serbisë se integrimi i Evropës Juglindore mund të bëhet edhe pa të, dhe kjo mendoj do ta detyrojë Serbinë që ta njeh pavarsinë e Kosovës më shpejt sepse ata do ta kuptojnë se po u ikin mundësitë ekonomike.

Zëri i Amerikës:Njohja nga vetëm 45 vende të pavarësisë së Kosovës ka ngritur shqetësime jo vetëm në Kosovë por edhe të vende që përkrahin pavarësinë e Kosovës. Cili është roli i organizatës suaj në këtë drejtim?

Avni Mustafaj: Siç e dini, Kosova nuk ka zyrë përfaqësuese në Uashington. Në këtë mënyrë ne përpiqemi të bëjmë punë që do të bënte një ambasadë edhe pse ne zyrtarisht nuk jemi përfaqësues të shtetit të Kosovës. Ne kemi shumë takime me zyrtarë në Departamentin e Shtetit, dhe kemi kërkuar nga ata që të bëjnë më tepër, kemi pasur takime me anëtarë të grupit të kongresistëve për çështje shqiptare dhe kemi kërkuar nga ata që të përdorin ndikimin e tyre me ambasadorë të vendeve të ndryshme. Gjatë vizitës tonë në Ballkan ne u takuam me zyrtarë maqedonas dhe malazezë dhe u kemi shprehur qëndrimin tonë se ka ardhur koha që këto dy vende ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës:Por a po bashkëpunoni me qeverinë e Kosovës rreth kësaj çështjeje? A ka kërkuar Prishtina ndihmën e organizatës tuaj?

Avni Mustafaj:Ne gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira me autoritetet në Prishtinë. Sfida që shoh tani për sa i përket njohjeve është se kjo është një gjë që autoritetet kosovare duhet ta fillojnë dhe ne mund ta përkrahim. Ne nuk mund ta përfaqësojmë zyrtarisht qeverinë e Kosovës sepse nuk e kemi këtë autoritet. Pra ne kemi marrëdhënie të mira me autoritetet kosovare por ne vetëm mund t’i përkrahim ata e jo të udhëheqim procesin.

Zëri i Amerikës:Në Shqipëri para pak ditësh u fol në media për disa komente të bëra nga një diplomat amerikan, identiteti i të cilit nuk u njoftua rreth siç u tha hapava prapa të demokracisë në Shqipëri. Cili është komenti juaj?

Avni Mustafaj:Nuk preferoj të komentoj rreth ndonjë komenti të bërë nga ndonjë diplomat të cilit nuk i dihet identiteti. Siç thashë më parë unë sapo jam kthyer nga Shqipëria ku pata rastin të takohem me disa zyrtarë të lartë atje. Mendoj se politika në Shqipëri vazhdon të udhëhiqet në baza të personalitetit dhe interesave partiake dhe jo në bazë të së mirës së përbashkët. Shqipëria ka treguar përmirësime të dukshme nga viti 1999 deri tash. Por megjithatë mendoj se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, dy partitë më të mëdha, duhet të gjejnë një mënyrë për të ulur akuzat dhe sulmet personale ndaj njëra tjetrës. Çështja më e rëndësishme mendoj është se partitë duhet ta kuptojnë se interesi i vendit qendron më lart se interesi i politikave partiake.

Zëri i Amerikës:Këshilli Kombëtar Shqiptaro amerikan menaxhon disa programe të financuara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Cilat janë të rejat rreth këtyre programeve?

Avni Mustafaj:Programi që menaxhojmë ne filloi së pari punën në Kosovën e pasluftës ndërsa tani jemi shtrirë edhe në vendet tjera si Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Ne me këtë program u kemi mundësuar femrave udhëheqëse që të çojnë përpara aftësitë e tyre duke u ofruar trajnime të ndryshme. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është se pjesmarrëset në këtë program jetojnë në vende të ndryshme dhe ato krijojnë në një mënyrë lidhje me njëra tjetrën gjë që mund t’i ndihmojnë ato gjithashtu në karrierën e tyre.

Zëri i Amerikës:Zoti Mustafaj në fund cilat janë planet e organizatës suaj për të ardhmen?

Avni Mustafaj: Pa marrë parasysh se çfarë ndodh në Ballkan, kontributi ynë më i madh do të vazhdojë të jetë lobimi për çështjet shqiptare në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres, në departamentin e shtetit etj. Është shumë me rëndësi që Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan të vazhdojë të jetë shumë aktiv dhe në ballë për të përfaqësuar çështjet shqiptare këtu në Uashington.

Pas pak kohësh ne kemi edhe Darkën tonë vjetore, e cila këtë vit do të mbahet me 19 shtator në qytetin e Nju Jorkut. Çdo vit ne japim Çmime Nderi personaliteteve që kanë kontribuar në çështjet shqiptare. Ndër personalitete në të kaluarën kanë qenë presidenti Klinton, sekretarja Ollbrajt, sekretari Xhejms Bejker, gjenerali Uesli Klark etj. Këtë vit ne do të nderojmë zoti Frenk Uisner dhe kongresistin Eliot Engel. //bsa//

XS
SM
MD
LG