Lidhje

Ndikimi i konfliktit Rusi-Gjeorgji


Presidenti amerikan Xhorxh Bush i ka bërë thirrje Rusisë që të mbajë premtimet e saj për një armpushim në Gjeorgji dhe të respektojë integritetin territorial të këtij vendi. Presidenti Bush dërgoi gjithashtu një mision humanitar të udhëhequr nga forcat ushtarake amerikane në Gjeorgji. Analistët thonë se sulmi rus do të ketë pasoja të mëdha për Gjeorgjinë, vend i cili po përpiqet të ndërtojë një aleance politike dhe ushtarake me perëndimin, por edhe për vetë perëndimin.


Sulmet ushtarake ruse për të pushtuar rajonet e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë në Gjeorgji kanë ngritur shqetësime të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ky aksion nga shume vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara po shihet si një akt agresioni. Dje, presidenti Bush përsëriti sërish përkrahjen e tij për Gjeorgjinë dhe integritetin e saj territorial dhe i bëri thirrje Rusisë të tërheq trupat e saj nga ai vend. Ai gjithashtu i tërhoqi vëmendjen Rusisë.

"Sulmet ruse në Gjeorgji ngrejnë pyetje serioze rreth objektivave të saj në atë vend. Në mënyrë që të fillojë të përmirësojë mardhëniet e saj me vendet perendimore, Rusia duhet ta mbajë fjalën e saj dhe të veprojë në këtë krizë."

Motivi i sulmeve ruse ndaj Gjeogjisë janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Ariel Cohen ekspert mbi Rusinë nga instituti Heritage thotë se Rusia po reagon ndaj afrimit të mardhënieve të perendimit me Gjeorgjinë dhe presidenti e saj të zgjedhur demokratikisht. Ai e sheh këtë veprim edhe si përpjekje të Rusisë për të zgjeruar sferën e saj të ndikimit.

"Rusia po sillet ende me mentalitetin e shekullit 19 dhe dëshiron të rrisë fuqinë e saj ushtarake për të zgjeruar sferën e saj të ndikimit. Ata e shohin atë si një sferë ndikimi të perandorisë ruse apo të ish Bashkimit Sovjetik. Me përjashtim të Ballkanit, është i tërë ky territor të cilin e dëshirojnë."

Gjeorgjia, Ukraina dhe vende të tjera tani të pavarura ishin dikur pjesë e ish Bashkimit Sovjetik. Në periudhën e luftës së ftohtë, Moska kishte kontroll edhe ndaj rajonit të Evropës Lindore duke shtypur ushtarakisht përpjekjet për të dalë nga ky kontroll të Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe të Hungarisë në vitin 1956.

Rusia e sotme, nën udhëheqjen e fuqishme të Vladimir Putinit, ish president i saj dhe tani kryeministër ndoshta është duke shkuar në drejtim të njejtë. Sipas profesoreshës Ruth Wedgewood, aksionet ruse ndaj Gjeorgjisë janë një sinjal për Evropën Qendrore.

"Qëllimi i tyre për të pasur një ndikim më tepër se ekonomik në Evropën Qendrore, sipas mendimit tim është gati si një rrezik i ngjashëm me Hungarinë e vitit 1956. Se nëse nuk u përmbahesh disa rregullave të caktuara ne do t'iu detyrojmë ti ndiqni ato."

Washingtoni dhe aleatët e saj të NATO-s kanë shumë pak alternativa për të ndryshuar situatën në terren në Gjeorgji. Por presidenti Bush dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë bërë të qartë se pjesmarrja e Rusisë në grupin e G8-shës dhe forume të tjera ndërkombëtare është vënë në pikëpyetje.

Por perendimi ka nevojë për Rusinë në çështje si Irani. Charles Kupchan ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Klinton.

"Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Rusinë në përpjekjet për të ndalur ambiciet bërthamore të Iranit, për çështje të energjisë, për përpjekjet e saj në Afganistan dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Pra sipas mendimit tim, duhet të ketë më tepër fakte para se të arrish në përfundim se Rusia është duke shkuar drejtë një ekspansioni perandorak para se të ngrish mardhëniet me atë vend në çështje të rëndësishme në pjesë të ndryshme të botës."

Megjithatë presidenti Bush dje deklaroi se do të dërgonte një mision humanitar për të ndihmuar popullit gjeorgjian. Ai tha se ky mision do të dërgojë materiale mjekësore dhe humanitare dhe do të udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe ai mision do të jetë i madh dhe i vazhdueshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG