Lidhje

Portret i politikanit veteran Xhozef Bajden


Senatori Barak Obama emëroi senatorin Xhozef Bajdën për kandidat për nën president, me objektivin që të forcojë kandidaturën e tij në fushën e politikës së jashtme, ku kundërshtari e ka sulmuar vazhdimisht si kandidat pa përvojë. Senatori Obama, një emër i ri në politikën amerikane hyri në histori duke u bërë kandiadati i parë afrikano-amerikan i njërës nga partitë kryesore për president.

Por ai është ndeshur me kritika të shumta nga kundërshtari i tij republikan, senatori Xhon Mekejn se nuk ka përvojë në sigurinë kombëtare dhe për propozimin e tij për tërhjeqje nga Iraku brenda 16 muajsh.

Duke zgjedhur zotin Bajden si kandidati për nën president, shumë qartë ka për qëllim t'u përgjigjet këtyre kritikave.

Për gati 30 vjet në Senatin amerikan, senatori Bajdën ka shërbyer në poste të larta jo vetëm si kryesues i komisionit për Mardhënie me Jashtë por edhe si kryesues i komisionit të drejtësisë. 65 vjeçari Bajdën gëzon mbështetje në radhët e votuesve të klasës punëtore, një tjetër pikë e dobët e senatorit Obama.

Senatori Bajdën është i besimit katolik dhe vjen nga një familje punëtore me prirje liberale dhe ka kandiduar dy herë për postin e Presidentit.

Në komisionin për Mardhënie me Jashtë, senatori Bajdën ka qenë vazhdimisht aktiv edhe në politikën ballkanike. Ai ishte deklaruar hapur për pavarësinë e Kosovës dhe njihej si një kritik i administratës amerikane se nuk po tregohej sa duhej aktive në këtë drejtim.

Në dëshmitë në Senat ai shpesh përmend faktin se djali i tij Bo kishte shërbyer në Kosovë dhe se ai ishte shumë krenar për këtë fakt.

Fushata e Senatorit Obama e njoftoi vendimin e tij në faqen e internetit dhe me anë të një tekst mesazhi përmes telefonave celularë pak orë pasi media kishte filluar të spekulohente për Senatorin Bajden si kandidat. Kjo e detyroi fushatën të dërgojë mesazhin shumë shpejt dhe shumë njerëz që ishin regjistruar për mesazhe përmes celularit, e morën këtë lajm në orën tre të mëngjesit.

Sot të dy Senatorët marrin pjesë në një miting fushate në qytetin Springfield të shtetit Illinois, mitingu i parë të dy kandidatëve para Kuvendit të Partisë Demokrate i cili fillon të hënën në Denver të Kolorados. //mm//

XS
SM
MD
LG