Lidhje

Përgatitjet për Kuvendin e Partisë Demokrate në Denver, Kolorado


Pa shkaktuar ndonjë befasi të madhe, senatori amerikan Barak Obama do të pranojë zyrtarisht të enjten emërimin e partisë së tij për president. Dhjetëra mijëra vetë pritet të shohin momentin historik të emërimit të tij në Kuvendin e Partisë Demokrate i cili fillon këtë javë.

Invesko Field është stadiumi 1,6 kilometra mbi nivelin e detit në qytetin Denver të Kolorados. Qyteti i skuadrës së futbollit Bronko të Denverit dhe vendi ku për katër ditë me radhë në gusht do të zhvillohet Kuvendi i Partisë Demokrate për vitin 2008.

Për ata që janë besnikë të një partie, kjo ngjarje është një ekstravagancë politike që zhvillohet vetëm një herë në katër vjet.

Megjithëse qëllimi kryesor i kuvendit është të emërojë zyrtarisht kandidatin e partisë për president, ai shërben edhe për t'i nxitur përkrahësit dhe për të tërhequr më shumë të tjerë.

Peter Fen është strateg politik në Uashington.

"Jo vetëm që duhet të bësh për vete bazën tënde të elektoratit dhe ata që të përkrahin, dhe t'i bësh ata të dalin të votojnë dhe të punojnë me komunitetet e tyre, por duhet të fitosh edhe ata të pavendosurit, njerëzit që nuk kanë ndonjë interes të veçantë për politikën."

Analistët thonë se thirrja e zotit Obama me siguri do të ngjallë interes. Përfaqësues të medias prej 130 vendeve planifikojnë të mbulojnë kuvendin e 2008-ës. Donald Rik është drejtor ekzekutiv në Qendrën për Mediat dhe Marrëdhëniet me Publikun.

"Nëse analizojmë të dhënat, do të shihnim një rritje domethënëse në numrin e medias ndërkombëtare në Kuvendin e Partisë Demokrate vetëm për shkak të popullaritetit të tij ndërkombëtar."

Për demokratët, kuvendi është një mundësi për t'i prezantuar amerikanët me yjet e partisë.

Të hënën, vëmendja do të përqendrohet në atë që mund të jetë Zonja e Parë e ardhshme Mishel Obama, e cila do të flasë për bashkimin e partisë.

Analistët thonë se drama politike intensifikohet të martën kur ish rivalja e senatorit Obama do të dalë në skenë.

Emri i senatores Hillari Klinton do të jetë në radhën e kandidatëve për emërimin presidencial. Por ish zonja e parë i ka siguruar përkrahësit se ky do të jetë thjesht një gjest simbolik.

Drama vazhdon të mërkurën kur do të numërohen votat e delegatëve nga 50 shtetet.

Ish presidenti Bill Klinton është caktuar të mbajë fjalën, i pasuar nga personi i zgjedhur nga senatori Obama për të qenë zëvendës presidenti i tij në garë, senatori Xho Bajden

Të enjten, ish guvernatori i Virxhinias Mark Uorner do të mbajë fjalimin kryesor. Ky fjalim mbahet para pikës kulminante të kuvendit, ku senatori Barak Obama pranon zyrtarisht emërimin e partisë së tij para një 80-mijë vetave.

Kuvendit ia shton publicitetin edhe karakteri historik i emërimit.

Historiani Alan Lichtman e quan arritjen e senatorit Obama deri në këtë pikë një moment historik për Shtetet e Bashkuara.

"Emërimi i një anfrikano-amerikani është përparim i rëndësishëm për këtë vend. Mendoj se fjalimit të tij do t'i kushtohet shumë vëmendje, sikurse fjalimit të Xhon Kenedit në vitin 1960 kur ai shpalli daljen në skenë të një brezi të ri."

Fjalimi i zotit Obama përkon edhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme në historinë amerikane, fjalimin "Kam një ëndërr" të Martin Luter Kingut 45 vjet më parë.

Analistët thonë se sfida për Obamën tani është të mbajë gjallë entuziazmin e përkrahësve të tij deri në zgjedhjet e nëntorit. //bsa//

XS
SM
MD
LG