Lidhje

SHBA: Vazhdon fushata e kandidatëve për president


Kandidati demokrat për president Barak Obama dhe rivali i tij republikan Xhon Mekejn thonë se janë të gatshëm të sjellin ndryshim në politikën amerikane.

Në një intervistë dhënë rrjetit televiziv ABC, zoti Obama tha se ishte i gatshëm të bënte ndryshime të mëdha të cilat mund të mos pëlqehen shumë nga demokratët, si për shembull uljen e kostos e mbrojtjes së mjekëve nga paditë ligjore dhe rritjen e forcës ushtarake. Ai tha gjithashtu se lufta në Irak ishte mision jo i menduar mirë dhe pa një vizion të qartë për fitoren.

Në një intervistë për rrjetin televiziv CBS, zoti Mekejn e prezantoi veten si forca e ndryshimit brenda Partisë Republikane që do t’i kundërvihet shpenzimeve të mëdha dhe do të mbështesë reformën për financimin e fushatave. Zoti Mekejn thotë se nëse fiton ai do t’i mirëpresë demokratët dhe politikanët e pavarur në administratën e tij në mënyrë që të rikthejë besimin tek qeveria.

Xhon Mekejn dhe kandidatja e tij për nënpresidente Sara Pejlin e vazhduan fushatën e tyre pas kuvendit me një udhëtim në Kolorado. Ky ishte takimi i parë i zotit Mekejn në Kolorado që kur demokratët mbajtën kuvendin e tyre në kryeqytetin Denver muajin e kaluar.

Duke qendruar krah përkrah njëri tjetrit, kandidati republikan për president Xhon Mekejn dhe Sara Pejlin tërhoqën mijëra vetë në Kolorado Springs, një qytet me prirje konservatore dhe familje ushtarake.

“Xhon Mekejn e di se ne kemi bërë ndryshime në Alaskë. Si guvernatore kam bërë punët politike dhe i kam bërë ballë interesave të veçanta, lobistëve dhe kompanive të naftës.” - tha zonja Pejlin

Edhe zoti Mekejn foli rreth së njëjtës temë, duke shpresuar të ruante reputacionin e tij si jokonformist, i cili ka mbajtur qendrime që nuk janë përputhur gjithmonë me partinë e tij.

“Nëse doni reforma dhe ndryshim, atëherë ju duhen jokonformistë që nuk kanë frikë të thyejnë ca nga rregullat e zakonshme,”- tha zoti Mekejn.

Ndërkohë, kandidati demokrat për president Barak Obama reagoi ndaj këtyre karakterizimeve duke kritikuar për herë të parë Sara Pejlin, duke thënë se ajo thotë se kundërshton shpenzimin e fondeve federale për projekte specifike shtetërore, në një kohë që më parë i ka mbështetur ato.
Duke folur para 800 vetave të mbledhur në Terre Haute të Indianës, zoti Obama vuri në lojë kundërshtarët e tij republikanë duke thënë se ata e prezantuan veten si njerëz që do të sjellin ndryshim gjatë kuvendit republikan javën e kaluar.

“Mos ushqeni iluzione,” - i tha zoti Obama turmës që e rrethonte. “Partia e Xhon Mekejnit ka qenë në pushtet me ndihmën e tij. Unë e di se guvernatorja e Alaskës pretendon se ajo do të sjellë ndryshim. Ajo është politikane e zonja. Por, kur ke rënë dakort për ndarjen e fondeve të caktuara kur të ka interesuar dhe papritmas i kundërvihesh atyre, ky nuk është ndryshim. Fjalët duhet të mbështeten diku, nuk mund të shpikësh gjërat.”

Senatori Mekejn ka premtuar se do t’i zhdukë fondet e akurduara për projekte specifike shtetërore, të cilat ligjvënësit i përfshijnë në ligjet e shpenzimeve.
Si guvernatore, zonja Pejlin fillimisht i kishte mbështetur këto lloj fondesh për një projekt të debatueshëm në Alaskë të quajtur “ura që nuk të çon gjëkundi.” Por pastaj ajo e tërhoqi mbështetjen për këtë projekt, pasi shtetit të saj, Alaskës iu kërkua të mbulonte një pjesë të shpenzimeve. //mm//

XS
SM
MD
LG