Lidhje

Presidenti Bush: Deri në shkurt do të tërhiqen 8 mijë trupa amerikane nga Iraku


Presidenti Bush tha se 8 mijë trupa amerikane do të largohen nga Iraku deri në shkurt të vitit të ardhshëm, përfshirë një batalion nga krahina Anbar, një brigatë luftarake të ushtrisë dhe më tepër se 3 mijë personel të aviacionit, inxhinierë ndërtimi dhe policë ushtarakë.

"Thelbi është ky: ndonëse armiku në Irak është ende i rrezikshëm, ne jemi në ofensivë dhe forcat irakiane po bëhen gjithnjë e më të afta për të udhëhequr dhe për të fituar luftën. Si rezultat, ne kemi qenë në gjendje të zbatojmë një politikë për pakësimin e e forcave luftarake amerikane në Irak ndërsa kushtet në teren vazhdojnë të përmirësohen," - tha ai.

Presidenti Bush u tha komandantëve ushtarakë në Universitetin e Mbrojtjes këtu në Uashington se nëse përparimi vazhdon, kryekomandanti amerikan në Irak, Gjenerali David Petreas beson se mund të bëhen pakësime të tjera trupash në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Presidenti Bush tha se duket se ka një shkallë qëndrushmerie në fitoret e arritura në Irak dhe këtë zoti Bush ia dedikon vendimit të tij që të dërgonte trupa shtesë vitin e kaluar.

5 brigadat luftarake të ushtrisë, njësitë e marinës amerikane dhe dy bataliona të marinës që përbënin shtesën e trupave tani janë kthyer në atdhe. Me tërheqjen edhe të 8 mijë trupave të tjera deri në shkurt 2009 përsëri në Irak do të ketë më shumë forca nga sa kishte para dërgimit të trupave shtesë.

Presidenti Bush po dërgon gjithashtu trupa të tjera në Afganistan ku ai tha se talebanët kanë bërë përparim në një kohë kur populli afgan ka filluar të humbasë besimin.

"Suksesi i Afgansitanit është kritik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve tanë në botën e lirë. Dhe megjithë punën e mrë që kemi bërë atje, duket qartë se duhet të bëjmë edhe më tepër. Ashtu siç mësuam në Irak, mënyra më e mirë për të rivendosur besimin në popull, është të revendoset siguria bazë dhe për këtë duhen më tepër trupa", - tha Presidenti.

Në nëntor të këtij viti , një batalion i marinsave që duhej të dërgohej në Irak, tani do të shkojë në Afganistan. Presidenti Bush tha se bashkë me të në janar do të shkojë edhe një brigatë luftarake e ushtrisë.

Presidenti Bush tha se këto forca do të punojnë bashkë me trupat afgane për të forcuar sigurimin, për të mbrojtur infrastrukturën, dhe që njerëzit të mund të marrin arsim dhe kujdes shëndetsor.

Përveç vendimit për të dërguar trupa të tjera në Afganistan, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara duhet gjithashtu të ndihmojnë Pakistanin për të luftuar talibanët dhe al-Qaidën të cilët po përdorin rajonet e largëta kufitare për të destabilizuar Afgansitanin dhe Pakistanin.

"Mposhtja e këtyre terroristëve dhe ekstremistëve është në interes të Paksitanit. Ata janë kërcënim vdekje-prurës për ardhmerinë e Pakistanit si vend i lirë e demokratik. Mposhtja e ekstremistëve dhe terroristëve është gjithashtu përgjegjësi e Paksitanit sepse çdo vend e ka detyrim të qeverisë territorin e vet që ai mos të bëhet vend i sigurt për terroristët,"- tha ai.

Presidenti Bush tha se e kishte ftuar me telefon Presidentin e ri të Paksitanit Asif Ali Zardari, për t'i shprehur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në luftën e qeverisë së re kundër ekstremizmit.//lk

XS
SM
MD
LG