Uragani Ajk goditi qytetin Hjuston në Teksas, duke përmbytur shtëpi dhe biznese, duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra banorë dhe duke shkaktuar shkatërrime gjatë gjithë rrugës për në Hjuston, që është qyteti i katërt amerikan për nga madhësia.
Sipas njoftimeve, mbi 3 milionë vetë janë pa energji elektrike nga Hjustoni në qytetin e Galvestonit, në brigjet e Gjirit të Meksikës. Zyrtarët thanë se mund të duhen dy javë për rikthimin e energjisë elektrike në të gjitha zonat ku është ndërprerë.
Autoritetet po fillojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në rajonet e goditura nga uragani, që nuk i kishte lejuar ata t’u përgjigjeshin mijëra telefonatave urgjente gjatë natës, e deri sot në mëngjes. Ata thonë se janë të shqetësuar për mijëra njerëz që nuk pranuan të evakuoheshin nga Galvestoni dhe zonat përreth, ku stuhia goditi për herë të parë Tokën.
Zona të mëdha të Galvestonit janë përmbytur nga vërshimet masive. Erërat me shpejtësi mbi 175 kilometra në orë, po ashtu rrëzuan shtylla të tensionit të lartë, duke shkaktuar zjarre, të cilat zyrtarët nuk kanë pasur mundësi t’i shuajnë.
Presidenti Bush tha se uragani Ajk është një stuhi e
fuqishme, që po shkakton dëme të mëdha. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë
sot në mëngjes, ai tha se po dërgon Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Majkëll
Çertof në bregdetin e Gjirit të Meksikës, për të ndihmuar zyrtarët me
përpjekjet e shpëtimit. //bsa//