Lidhje

Kandidatët presidencialë, reagime ndaj tronditjes së tregjeve


Kandidati demokrat Barak Obama zhvilloi fushatë në Kolorado, ku e cilësoi gjendjen në Uoll Strit si krizën më të rëndë financiare që nga kriza e viteve '30. Zoti Obama fajësoi për këtë krizë politikat e administratës së Presidentit Bush të cilat, tha ai, kanë eliminuar mbrojtjen për konsumatorët dhe kanë dobësuar parametrat e mbikqyrjes qeveritare.

"Tani, në vend që begatia të arrijë tek të gjitha shtresat e shoqërisë, vuajtjet po përhapen nga klasa punëtore amerikane deri tek firmat më të mëdha në Uoll Strit. Ky vend nuk mund të përballojë 4 vjet të tjera me këtë filozofi të dështuar."

Rivali republikan i zotit Obama, Senatori Xhon Mekein, zhvilloi tubime fushate në Florida. Zoti Mekein premtoi se do të zëvendësonte sistemin e mbikqyrjes së operacioneve financire që ai e cilësoi si një jorgan të vjetëruar të përbërë nga arna të thurura së bashku. Ai tha se do ta zëvendësonte këtë sistem me një sistem të ri më transparent.

"Njerëzit janë trembur nga zhvillimet e fundit. Mendoj se bazat e ekonomisë sonë janë të shëndosha. Por tani kemi hasur në kohë shumë të vështira."

Demokratët reaguan menjëherë me kritika pas komenteve të zotit Mekein se bazat e ekonomisë amerikane mbeten të forta, duke shfrytëzuar faktin që në anketa, ekonomia mbetet ndër shqetësimet kryesore të votuesve këtë vit.

Në një tubim të zhvilluar të hënën më vonë, zoti Mekein i ndryshoi komentet e mëparshme, duke theksuar se mendon që ekonomia e vendit është në krizë dhe ai do të bëjë ç'është e mundur për të pastruar etjen për para dhe korrupsionin në sistemin financiar.

Senatori Obama tha se komentet fillestare të zotit Mekein tregojnë se ai nuk është në dieni të shqetësimeve të shumicës së amerikanëve. Edhe kandidati demokrat për nënpresident, Xho Bajden dha komentet e tij duke e cilësuar planin ekonomik të zotit Mekein si një vazhdimësi e politikave që ndoqi administrata e Presidentit Bush gjatë 8 vjetëve të fundit.

Ndërkaq kandidatja republikane për nënpresidente, Sara Pejlin zhvilloi fushatë në Kolorado ku tha se ajo dhe zoti Mekein do të luftojnë për të mos lejuar rritje taksash, si një ndër mënyrat më të efektshme për të sjellë rritje ekonomike.

Zonja Pejlin deri tani ka tërhequr vëmendjen më të madhe të medias dhe publikut, duke e lënë disi në hije kandidatin demokrat për nënpresident Bajden. Megjithë përvojën e madhe të zotit Bajden në politikën e jashtme, Sara Pejlin ka mobilizuar shumë entuziazëm në radhët e shtresës konservatore brenda Partisë Republikane dhe ka tërhequr edhe një numër të konsiderushëm votuesesh femra. //ad//

XS
SM
MD
LG