Lidhje

Putin: Rusia do të stacionojë trupa në Osetinë Jugore dhe Abkazi


Kryeministri rus Vladimir Putin tha se është në dorën e rajoneve seperatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë që të vendosë se sa trupa ushtarake ruse mund të qëndrojnë në territorin e tyre.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan sot kryeministrin rus sipas të cilit vendimi do të bazohet në ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet mes Rusisë dhe këtyre rajoneve, që zoti Putin i përcaktoi si "shtete".

Pavarësisht nga protestat e forta nga Perëndimi, Rusia zyrtarisht i ka njohur të dyja rajonet seperatiste si shtete të pavarura, dhe ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me to.

Rusia është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar ndaj vendimit për të çuar trupa dhe tanke në Gjeorgji muajin e kaluar, mbasi Gjeorgjia u përpoq që të rimerrte nën kontroll rajonin seperatist të Osetisë së Jugut.

Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërheqë thuajse të gjitha forcat nga Gjeorgjia, sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Franca.

Rusia ka tërhequr trupat nga disa rajone pranë Osetisë së Jugut dhe Abkazisë, por Moska ka thënë se ajo do të stacionojë 7 mijë e 600 trupa brenda këtyre territoreve. //mm//

XS
SM
MD
LG