Lidhje

Kongresi debaton planin për shpëtimin nga kriza financiare


Ndërkohë që zyrtarë të rëndësishëm të financave amerikane dëshmuan para një komisioni të senatit të martën, zyrtarë të administratës së presidentit Bush gjendeshin në ndërtesën e Kongresit duke u përpjekur të ulin shqetësimet dhe për të bërë presion për miratimin e planit prej 700 miliardë dollarësh për të shpëtuar nga kriza financiare.

Ndërkohë që Sekretari i Thesarit Henri Polson, Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke dhe Kryetari i Komisionit të Aksioneve dhe Këmbimeve Kristofer Koks jepnin dëshmi para komisionit bankar të senatit, nënpresidenti Dik Çeni dhe zyrtarë të tjerë të administratës përpiqeshin të zbusnin shqetësimet e anëtarëve të partisë së presidentit Bush.

Siç tha kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Boner, zoti Çeni ishte ftuar nga kryesia republikane për të sqaruar natyrën e krizës financiare dhe arsyen pse zgjidhja e administratës ishte e nevojshme.

Por zoti Boner e pranoi se shumë republikanë janë shumë të shqetësuar rreth propozimit të administratës.

"Askush nuk e do këtë zgjidhje; askush nuk do të jetë i përfshirë në këtë çështje; askush nuk do të rrezikojë. Por unë do të thoja se nëse nuk bëjmë asgjë, ne rrezikojmë ekonominë tonë, vendet e punës dhe aksionet e njerëzve në fondet e tyre të pensionit."

Ajo që filloi me një propozim tre faqesh nga administrata është rritur jashtëzakonisht shumë, duke përfshirë shpenzime të qeverisë prej qindra miliarda dollarësh për të blerë borxhe kredish të pashlyera dhe aksione të tjera problematike për të ruajtur institucionet financiare dhe bankat si dhe për të stabilizuar tregjet.

Por madhësia e propozimit i ka zemëruar republikanët në dhomën e përfaqësuesve, të cilët përdorën një konferencë për shtyp për të shprehur kundërshtimet e tyre ndaj planit.

Ja ç'thotë republikani nga Indiana Majk Pens:

"Ka prej atyre në debatin publik që thonë se ne duhet të bëjmë diçka tani. Herën e fundit që e kam dëgjuar një gjë të tillë, isha në një parking makinash të përdorura. E vërteta është se çdo herë që dikush thotë se duhet ta kryesh një marrëveshje menjëherë, do të thotë se ata do të përfitojnë më shumë nga ajo marrëveshje. Mendoj se edhe populli amerikan duhet të jetë pjesë e këtij debati."

Zoti Pens dhe përfaqësues të tjerë republikanë janë deri diku dakord me demokratët në dhomën e përfaqësuesve, të cilët thonë se kongresit i duhet më shumë kohë për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme.

Nga ana e tyre, demokratët ngulin këmbë për ndryshime në përmirësimin e kërkesës së llogarisë dhe mbikqyrjes, si dhe mbrojtje më të mirë të amerikanëve nga probleme të tjera financiare.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi dha komente për shtypin.

"Festa ka mbaruar për sa u përket kompensimeve të drejtorëve të kompanive që përdorin parashuta të arta ndërkohë që kompanitë e tyre përplasen për tokë. Festa ka përfunduar për sa i përket mungesës së barazisë në vendin tonë mes drejtorëve të kompanive që marrin rroga thuajse të pamoralshme dhe që nuk u intereson fare të punojnë për mirëqënien e njerëzve. Festa ka mbaruar për institucionet financiare që rrezikojnë dhe në të njëjtën kohë privatizojnë çdo fitim, ndërkohë që rrezikun ia veshin të gjithë kombit, duke u kërkuar taksapaguesve të paguajnë llogarinë."

Zonja Pelozi nuk pranoi të përgjigjej se kur pritet të arrijë projekligji në dhomën e përfaqësuesve apo në senat.

Demokratët i kanë lidhur veprimet për planin e shpëtimit nga kriza financare me synimin e tyre për të marrë masa të veçanta për rritjen e ekonomisë amerikane.

Meqenëse dje nuk pati shumë arritje në asnjërën anë, ligjvënësit thonë se po përgatiten për mundësinë që kongresi të vazhdojë punën deri të premten kur ishte planifikuar pushimi në përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. //bsa//

XS
SM
MD
LG