Lidhje

Feith: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme


Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar i Kosovës thotë se deri në fund të vjeshtës Zyra Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-i pritet të arrijnë kapacitet të plotë. Piter Feith, tha dje në një takim në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins se sfida më e madhe për Kosovën është krijimi i një shoqërie shumëetnike.

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar i Kosovës e bën të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sukses në Kosovë, megjithatë nuk e fsheh se ka konfuzion mes pranive të ndryshme ndërkombëtare.

"Ne duhet të vazhdojmë të përmirësojmë bashkërendimin e përpjekjeve tona, që të mund të kemi një bashkëpunim më të efektshëm brenda organizatave tona ndërkombëtare dhe mes tyre".

Ai tha se dislokimi i shpejtë i EULEX-it në gjithë territorin për të siguruar një hapësirë të vetme ligjore, do të jetë kritik gjatë muajve të ardhshëm.

"Sfida më e madhe është integrimi i komunitetit serb të Kosovës në gjithë drejtimet e jetës në Kosovë. Instrumentet më të rëndësishme për ta realizuar këtë janë decentralizimi - një alternativë për strukturat paralele – dhe shteti ligjor".

Zoti Feith thekson se në këtë kontekst është e rëndësishme që të gjithë faktorët të angazhohen për shtrirjen e aktivitetit të EULEX-it në veri. Zoti Feith e pranon se vendosja e autoritetit të organizatave ndërkombëtare ka nevojë për bashkëpunimin e Beogradit, por problemi qëndron tek vetë sjellja e Beogradit, përfshirë kërkesën që të shqyrtohet ligjshmëria e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përfaqësuesi ndërkombëtar i Kosovës mendon se një kërkesë e tillë është në dëm të aspiratave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dëm të përparimit të Kosovës dhe e dëmshme në shkallë globale pasi i hap rrugën analogjive të panevojshme me situata të tjera ndërkombëtare. Por ai thekson se në çfarëdo përfundimi të arijë gjykata, rezultati nuk do të ketë vlerë praktike.

"Çfarëdo që të ndodhë me referimin e çështjes së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, pavarësia e saj është e pakthyeshme. Të gjitha vendet që mbështesin organizatën time, të gjitha vendet që kanë njohur Kosovën, janë të një mendimi, se cilido qoftë përfundimi i shqyrtimit nga ana e Gjykatës nuk do të ketë ndikim tek akti i njohjes së saj".

Por për situatën afatshkurtër ai paralajmëron se megjithëse ajo ka qenë e qetë që pas shpalljes së pavarësisë në shkurt, ekziston ende mundësia e paqendrueshërisë dhe dhunës prandaj nuk duhet hequr vëmendja nga ngjarjet atje për të mirën e së ardhmes së Kosovës, stabilitetit të rajonit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian. //kk//



XS
SM
MD
LG