Lidhje

Presidenti Bush: Përpjekjet për miratimin e planit financiar nuk kanë mbaruar


Presidenti amerikan Xhorxh Bush thotë se përpjekjet për miratimin e një programi masiv qeveritar për të nxjerrë nga kriza sektorin financiar, nuk kanë mbaruar. Ai paralajmëroi se pasojat ekonomike do të jenë “të dhimbshme dhe afatgjata”, nëse plani nuk miratohet.

Një propozim prej 700 miliardë dollarësh u hodh poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke shkaktuar rënien drastike të çmimit të aksioneve amerikane.

Duke folur para hapjes së bursës sot, Presidenti Bush tha se vendi ndodhet në “një situatë urgjente dhe pasojat rëndohen çdo ditë që kalon pa marrë masa”.

Ai tha se zyrtarët e lartë po punojnë me Kongresin për të hartuar një plan që të mund të miratohet. Kreu i demokratëve në senat dhe ai i republikanëve premtuan sot se do veprojnë me shpejtësi për të miratuar paketën dypartiake.

Kritikët e planit kanë thënë se kostoja e paketës 700 miliardë dollarëshe është e jashtëzakonshme. Por zoti Bush thotë se vetëm kostoja e humbjeve të djeshme në tregun e aksioneve ishte më shumë se 1 trilion dollarë.


Çmimet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara u rritën sot deri në mbi tre për qind, ndërsa indekset kryesore evropiane treguan rritje pas një rënieje në mëngjes.//lk

XS
SM
MD
LG