Lidhje

Lukashenko kërkon nga BE dhe SHBA heqjen e sanksioneve


Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Jukashenko po i bën thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara t'i heqin sanksionet ndaj vendit të tij. Por vëzhguesit evropianë thonë se zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit në Bjellorusi nuk u zhvilluan sipas standarteve demokratike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Judith Latham bisedoi me gazetarë rusë, bjellorusë dhe ukrainas mbi këto zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën vullnetin e tyre për të marrë në konsideratë heqjen e sanksioneve tregtare dhe të udhëtimit ndaj Bjellorusisë, në se vëzhguesit e OSBE-së, pas verifikimit, do të arrinin në përfundimin se ato i përmbushnin standartet ndërkombëtare të transparencës dhe drejtësisë. Por kandidatët e opozitës nuk arritën të sigurojnë as edhe një vend të vetëm në parlamentin prej 110 vendesh, prandaj OSBE-ja tha se zgjedhjet nuk i përmbushën standartet demokratike, megjithë ato, që vëzhguesit i cilësuan si përmirësim të procedurave.

Gazetarja bjelloruse Maria Sadovskaja thotë se këto përmirësime janë kryesisht të natyrës sipërfaqësore, pavarësisht nga shpresat se qeveria e Lukashenkos po lëvizte ngadalë drejt demokratizimit.

"Ishte diçka që pesimistët e parashikonin, së cilës realistët i druheshin dhe për të cilën optimistët shpresonin se këtë herë, autoritetet do të bënin një farë ndryshimi. Autoritetet u përpoqën të ndalonin çdo kundërshtim në parlament dhe ata krijuan skenarin më të sigurtë për ta".

Gazetarja Maria Sadoskaja thotë se ishte ndoshta diçka jo realiste të shpresoje që zgjedhjet në Bjellorusi do të ishin të lira dhe të drejta. Tani, thotë ajo, është në dorën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosin në se përmirësimi i lehtë i vënë re para zgjedhjeve ishte i mjaftueshëm për të hequr një pjesë të saknsioneve.

Gazetari ukrainas Javhen Hibovitski i kanalit televiziv Channel 5 të Kievit, thotë se pikëpamja e ukrainasve për zgjedhjet në Bjellorusi, varet se cilin person pyet për to.

"Bjellorusia ka qenë për një kohë të gjatë aleate e Rusisë dhe duket qartë se ky vend shihet nga partitë pro-ruse si një homologe me potencë në krijimin e një bashkimi më të madh me Rusinë. Në të njëjtën kohë, ukrainasit që kanë prirjen drejt Perëndimit shpresonin që regjimi i zotit Lukashneko të ndërmerrte një hap pozitiv dhe të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Kandidatët e opozitës nuk patën mundësi të njëjtë për shfrytëzimin e shtypit, ndërsa qeveria haptazi nxiste kandidatët e vet. Zgjedhjet ishin një përpjekje tjetër e dështuar për të përmbysur një nga diktaturat e fundit të Evropës".

Megjithatë, zoti HLIBOVYTSKY thotë se Minsku aktualisht është përpjekur të bëjë dallime mes qëndrimit të vet dhe atij të Moskës, sidomos përsa i përket Gjeorgjisë. Ai thotë se Bjellorusia nuk e pranoi asnjëherë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkazisë dhe duket qartë, se po përpiqet të luajë lojën e vet, në balancimin e interesave të Rusisë dhe të Perëndimit, por në përgjithësi, duke qëndruar brenda sferës së ndikimit rus.

Dmitri Siderov, korrespondent i Washingtonit për gazetën e përditshme të Moskës "Kommersant", thotë se media ruse, po ashtu po i vëzhgonte nga afër zgjedhjet në Bjellorusi.

"Kremlini po i shikonte me një lloj frike zgjedhjet në Bjellorusi, duke u nisur nga fakti se zoti Lukshenko po i linte të kuptohej Perëndimit, se po përpiqej në një farë mënyre, që edhe në se nuk do të normalizonte marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, të paktën do të fillonte procesin për normalizimin e tyre. Por këto fjalë të zotit Lukashenko nuk u bënë realitet. Në se i hedhim një vështrim shifrave, nga 70 udhëheqës të opozitës, asnjëri nuk mundi të sigurojë një vend në parlamentin prej 110 vendesh. Pra, sipas meje, kjo ishte një tjetër lojë e luajtur nga zoti Lukashenko".

Në anën tjetër, thotë gazetari rus Dmitri Siderov, perspektiva e Rusisë është ndoshta e kuptueshme, në se i hedh një vështrim hartës. Bjellorusia ndodhet pikërisht në kufirin perëndimor të Rusisë dhe udhëheqësit e Kremlinit i shohin me shqetësim thirrjet e Perëndimit për demokratizimin dhe modernizimin e Bjellorusisë.

Gazetari rus Siderov thotë gjithashtu se Presidenti Lukashenko varet thuajse plotësisht tek Rusia ekonomikisht, ndryshe nga ish-republikat e tjera ruse, Azerbaxhani dhe Turkmenistani. Ai le të kuptohet se në fund të fundit, çdo ndryshim në Bjellorusi, mund të provokojë një luftë të ashpër mes Rusisë dhe Perëndimit. //iç//

XS
SM
MD
LG