Lidhje

Gazetarë rusë, bjellorusë e ukrainas mbi zgjedhjet në Bjellorusi


Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Jukashenko po i bën thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara t'i heqin sanksionet ndaj vendit të tij. Por vëzhguesit evropianë të zgjedhjeve thonë se zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit nuk u zhvilluan sipas standarteve demokratike. Në vazhdim komentet e disa gazetarëve rusë, bjellorusë dhe ukrainas mbi këto zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën vullnetin e tyre për të marrë në konsideratë heqjen e sanksioneve tregtare dhe të udhëtimit ndaj Bjellorusisë, në se vëzhguesit e OSBE-së, pas verifikimit, do të arrinin në përfundimin se ato i përmbushën standartet ndërkombëtare të transparencës dhe drejtësisë. Por kandidatët e opozitës nuk arritën të sigurojnë as edhe një vend të vetëm në parlamentin prej 110 vendesh, prandaj OSBE-ja tha se zgjedhjet nuk i përmbushën standartet demokratike, megjithë ato që ata i cilësuan si përmirësim të procedurave.

Gazetarja bjelloruse Maria Sadovskaja thotë se këto përmirësime shihen gjerësisht të natyrës kozmetike, pra sipërfaqësore, pavarësisht nga shpresat se qeveria e Lukashenkos po lëvistengadalë drejt demokratizimit.

"Ishte diçka që pesimistët e predikonin, së cilës realistët i druheshin dhe për të cilën optimistët shpresonin se këtë herë autoritetet do të paraqisnin një pamje të ndryshme. Autoritetet u përpoqën të ndalonin çdo kundërshtim në parlament dhe ata krijuan skenarin më të sigurtë për ta."

Gazetarja Maria Sadoskaja thotë se ishte ndoshta diçka jo realiste të shpresoje që zgjedhjet në Bjellorusi do të ishin të lira dhe të drejta. Tani, thotë ajo, është në dorën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosin në se ka patur përmirësime të nevojshme në balotazh, në mënyrë që sanksionet të tërhiqen.

Gazetari ukrainas Javhen Hibovitski i kanalit televiziv Channel 5 të Kievit, thotë se pikëpamja e ukrainasve për zgjedhjet në Bjellorusi, varet se cilin person pyet për to.

"Bjellorusia ka qenë për një kohë të gjatë aleate e Rusisë dhe duket qartë se ky vend shihet nga partitë pro-ruse si një homologe me potencë në krijimin e një bashkimi më të madh me Rusinë. Në të njëjtën kohë, ukrainasit që kanë prirjen drejt Perëndimit shpresonin që regjimi i zotit Lukashneko të ndërmerrte një hap dhe të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Kandidatët e opozitës nuk patën mundësi të njëjtë për shfrytëzimin e shtypit dhe dukej qartë se qeveria po nxiste kandidatët e vet. Kjo do të thotë se është një përpjekje tjetër e dështuar për të hequr qafe një nga vendet diktatore të Evropës."

Megjithatë, zoti Hlibovitski thotë se Minsku aktualisht është përpjekur të bëjë dallime mes pozicionit të vet dhe atij të Moskës, sidomos përsa i përket Gjeorgjisë. Ai thotë se Bjellorusia nuk e pranoi asnjëherë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkazisë dhe duket qartë, se po përpiqet të luajë lojën e vet, në balancimin e disa prej interesave të Rusisë dhe disave të Perëndimit, por në përgjithësi, duke qëndruar brenda sferës së ndikimit rus.

Dmitri Siderov, korrespondent i Washingtonit për gazetën e përditshme të Moskës "Kommersant", thotë se media ruse, po ashtu po i vëzhgonte nga afër zgjedhjet në Bjellorusi.

"Kremlini po i shikonte me një lloj frike zgjedhjet në Bjellorusi, duke u nisur nga fakti se zoti Lukshenko po i linte të kuptohej Perëndimit, se po përpiqet në një farë mënyre, për normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në dhe pastaj t'i vendoste lidhjet me to. Por këto fjalë të zotit Lukashenko nuk u bënë realitet. Në se i hedhim një vështrim shifrave, nga 70 udhëheqës të opozitës, asnjëri nuk mundi të sigurojë një vend në Parlamentin prej 110 vendesh. Pra, sipas meje, kjo ishte një tjetër lojë e luajtur nga zoti Lukashenko."

Në anën tjetër, thotë gazetari rus Dmitri Siderov, perspektiva e Rusisë është ndoshta e kuptueshme, në se i hedh një vështrim hartës. Bjellorusia ndodhet pikërisht në kufirin perëndimor të Rusisë dhe udhëheqësit e Kremlinit i shohin me shqetësim thirrjet e Perëndimit për demokratizimin dhe modernizimin e Bjellorusisë, një vend në kufi.

Gazetari rus Siderov thotë gjithashtu se Presidenti Lukashenko varet thuajse plotësisht tek Rusia ekonomikisht, ndryshe nga ish-republikat e tjera ruse, Azerbaxhani dhe Turkmenistani. Ai le të kuptohet se në fund të fundit, çdo ndryshim në Bjellorusi, mund të provokojë një luftë të ashpër mes Rusisë dhe Perëndimit. //ad//

XS
SM
MD
LG